“Kemi drejtues shkollash që janë out”; Rama: Rrisim pagat e mësuesve 40% brenda mandatit të tretë
Kryeministri Edi Rama në një takim me mësues nga shkollat publike të vendit këtë të shtunë e vendosi theksin tek domosdoshmëria e rritjes cilësore të drejtimit të shkollave.
Në fjalën e tij për buxhetin në arsim për vitin 2022, kryeministri Rama theksoi se shumë drejtues shkollash në vend nuk janë në nivelin e duhur për drejtimin e tyre dhe si për të mos mjaftuar as kjo u shpreh se pjesa më e madhe e tyre është edhe poshtë nivelit të mësuesve.
“Kemi bërë shumë për mësuesit për t’i nxjerrë ata nga ajo vorbulla e tmerrshme e pasigurisë nga presionet, bakshishet dhe tarafit që e bënte komplet pozicionin e tyre të pasigurt dhe për t’u dhënë të gjithë mësuesve apo atyre që duan të bëhen mësues ta realizojnë atë me meritën e tyre. Përmes një sistemi tërësisht objektiv pikëzimi që kalon përmes testeve dhe pavarësisht rasteve të shpërdorimit me këtë sistem ajo që mund të thuhet me plot gojën është një përqindje shumë e vogël në raport me gjithë pjesën tjetër”, tha kryeministri.
Sipas tij, qeveria shqiptare nuk ka bërë shumë në raport me të shkuarën në lidhje me drejtimin e shkollave të vendit, duke theksuar se sot ka drejtues shkollash që nuk e meritojnë të jenë në krye të tyre.
“Ne kemi drejtues shkollash që janë nën nivelin e mësuesve. Kemi drejtues shkollash që janë out”, tha Rama.
“Kjo është shumë e qartë. Duhet ndërhyrë që drejtuesit me vlerë të mbështeten dhe të motivohen maksimalisht, drejtuesit që iu ka kaluar koha të largohen. Kjo s’ka rëndësi se çfarë bindjesh politike kanë, apo nga janë dhe çfarë statusi financiar ka bashkëshorti i tyre. Tani ka rëndësi aftësia. Shumë drejtues nuk e reflektojnë të njëjtën gjë. Nëse ne nuk kemi drejtimin e shkollës në nivelin e duhur, në të gjitha shkollat, këto çfarë thamë mbeten të cunguara”, deklaroi ai.
Kryeministri Rama këtë të shtunë foli edhe për projekt-buxhetin për vitin 2022, ndërsa theksoi se vijon rritja e pagave për të gjithë mësuesit. Ai theksoi se projeksioni i qeverisë shqiptare është pagat të rriten pa diskutim edhe 32%, por ajo çfarë synohet është objektivi i rritjes së tyre deri në 40 për qind.
“Jemi në kushtet e pandemisë, por sidoqoftë ne do vazhdojmë të synojmë objektivat maksimalë”, theksoi Rama.
Rama në fjalën e tij bëri me dije se për herë të parë do të ketë një buxhet dhe financim të veçantë për të stimuluar prindërit, mësuesit dhe nxënësit.
Sipas tij, duke nisur nga pranvera e ardhshme do të fillohet me “adresimin e boshllëkut midis orës së mësimit dhe shtëpisë”.
“Do të ju ofrojmë nxënësve një program për artet dhe zeje. Te zejet kemi parasysh dhe teknologjinë, njohjen dhe zotërimin e saj për qëllime të mira dhe për sportin”.
Kryeministri tha se vitin e ardhshëm shkollor ky buxhet dhe financim do të shfrytëzohet “menjëherë”. Gjithashtu Rama u bëri thirrje mësuesve se duhet të nxisin fëmijët drejt njohjes së teknologjisë.
“Paralelisht me gjuhën shqiptare, angleze, fëmijët duhet të mësojnë edhe gjuhën e kompjuterit”, ishte thirrja e kryeministrit Rama.
Së bashku me kryeministrin ishte dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi në fjalën e saj u shpreh se është ndarë një buxhet prej 400 milionë lekësh për të furnizuar 100 shkolla me laboratorë didaktikë. Si dhe një fond tjetër për fuqizimin e laboratorëve të informatikës.
Kushi paraqiti dhe problemin që kanë shumë shkolla në Shqipëri, siç janë klasat kolektive.
“Për tetë vite i kemi përgjysmuar klasat kolektive por për fat të keq vijon të ketë në disa shkolla”.
Po ashtu ajo u shpreh se në buxhetin e ri mbështetja për transportin e nxënësve të cilët e kanë shkollën 2 km larg banimit të tyre, do të jetë prej 50% për 35 mijë nxënës.
Mbështetja për transportin përveç nxënësve do iu jepet dhe mësuesve, që e kanë punën 5 km larg banimit të tyre.
Ajo u ndal dhe te tekstet shkollore të cilat do të rishikohen të gjitha dhe bibliotekat në shkolla do të pasurohen. Në veçanti, ministrja Kushi u ndal tek ndihma që do u jepet fëmijëve me aftësi të veçanta dhe ata të cilët nuk kanë mundësi financiare.
“110 milionë do të jetë fondi për shkollat e arsimit special për fëmijët me aftësi të veçanta. Po kaq do të jetë bursa financiare për nxënësit që familjet e tyre kanë të ardhura minimale”.
Ndër të tjera Kushi e mbylli fjalën te mbështetja e palëkundur për mësuesit.
“Ne do të vazhdojmë misionin tonë dhe do të korrigjojmë dhe do të përmirësojmë punën tonë. Bashkë dhe me shumë dashuri për nxënësit tanë’, tha ajo.
Fraksion.com