Çmimi i Paqes në Ahen u jepet Nismave kundër Racizmit
Ata e kthyen dhimbjen në energji: të afërmit e viktimave të vrara nga ekstremistët e djathtë në Hanau në shkurt 2020. Ata themeluan nisma kundër racizmit. Tani nderohen me Çmimin e Paqes Aachen.
19 shkurt 2020 është një ditë që nuk harrohet kurrë – për të afërmit e Gökhan Gültekin, Ferhat Unvar, Hamza Kurtoviq, Mercedes Kierpacz, Sedat Gürbüz, Kaloyan Welkov, Vili Viorel Păun, Fatih Saraçoğlu dhe Said Nesar Hashemi. Nuk është rastësi që këta nëntë emra tingëllojnë të çuditshëm për veshët gjermanë: Në këtë mbrëmje fatale në qendër të qytetit Hanau, atentatori 43-vjeçar kishte në shënjestër vetëm njerëzit që ai i kishte klasifikuar si të huaj, siç tha prokurori federal Peter Frank disa ditë pas sulmin në një prezantim të tij në Bundestag. Për 12 minuta i sëmuri mendor tërhoqi këmbëzën të paktën 52 herë. Ishte sulmi më i rëndë racist dhe ekstremist i djathtë në Gjermani që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
“Kujtimi, drejtësia, zbardhja, pasojat”
Erdhën kamerat, erdhën politikanët. Kishte tubime, mitingje – dhe funerale. Por anëtarët e familjeve të viktimave raciste e dinin, se politikanët dhe kamerat do të largohen përsëri, ndërsa ata do të mbeten. Ndaj ata i premtuan njëri-tjetrit se nuk do ta lënë njëri-tjetrin të vetëm. Ata nuk do të kënaqeshin vetëm me shprehjen e shqetësimeve të parëndësishme. Së bashku me bashkëmendimtarët, ata themeluan “Iniciativën Hanau 19 Shkurt”. Kërkesat e tyre ata i përmblodhën në katër nocione: “Kujtim, Drejtësi, Zbardhje, Pasojat”.
As sot e kësaj dite, të afërmit nuk i kanë marrë të gjitha përgjigjet: Pse nuk funksionoi thirrja e urgjencës natën e tmerrit? Pse atentatori kishte armmë legale? Pse nuk e vunë re autoritetet edhe pse me muaj të tërë para sulmit racist ai i kishte dërguar Prokurorit të Përgjithshëm një letër me plot mite konspirative? Ata janë të bindur se rreziku nga e djathta është nënvlerësuar në Gjermani prej dekadash. Një komision hetimor i parlamentit të landit Hesen, po merret tani me dështimet e mundshme të qeverisë në lidhje me sulmin.
140 metra katrorë për solidaritet, takime dhe kujtime
Nisma themeloi një qendër sociale si një vend takimi dhe këshillimi në qendër të qytetit Hanau, drejtpërdrejt përballë vendit ku është kryer krimi i parë. 140 metra katrorë janë më shumë se një zyrë, më shumë se një vend solidariteti, një vend takimi. Është edhe një vend përkujtimi për të vrarët. Fotot dhe vizatimet e fytyrave të tyre varen në mure dhe në pjesën e përparme të dritares së gjërë. Cetin Gültekin vjen pothuajse çdo ditë në zyrën e iniciativës. Ai ka humbur vëllain e tij Gökhan në sulm: “Për mua, kjo dhomë është si të vizitoj Gökhanin. Është dhoma e tij e ndenjes”, tha Cetin Gültekin për DW në fillim të këtij viti. “E kur vjen familja Unvar këtu, kjo shndërrohen në dhomën e Ferhatit”. Ferhat Unvar u vra gjithashtu në kioskën në të cilën u qëllua Gökhan Gültekin.
Letra e hapur dërguar kancelares Merkel
Nëna e Ferhat Unvar i shkroi një letër të hapur kancelares Angela Merkel menjëherë pas sulmit. Në letër ajo kishte kërkuar edhe krijimin e një fondacioni të sponsorizuar nga shteti. Ajo dhe të afërmit e tjerë të viktimave duhej të ishin drejtuesit e fondacionit. Qëllimi i këtij fondacioni do të ishte të “edukojë njerëzit kundër urrejtjes dhe racizmit dhe të promovojë bashkëjetesën paqësore të të gjithë banorëve të këtij vendi”.
Por as sot, një vit më vonë, Serpil Temiz Unvar nuk ka marrë përgjigje nga kancelaria. Ndaj ajo vendosi të themelojë “Iniciativën Edukative Ferhat Unvar” në nëntor 2020. Iniciativa financohet vetëm nga donacionet.
“Përvojat raciste që Ferhat kishte në jetën e përditshme dhe veçanërisht në shkollë ndikuan edhe në marrëdhënien tonë. Shpesh grindeshim për këtë. Shpesh ndihesha e pafuqishme. Dhe jam e sigurt se edhe Ferhati ndjehej kështu. Fatkeqësisht, nuk kishte njeri që mund të na ndihmonte”, thotë Serpil Temiz Unvar. Iniciativa ofron punëtori kundër racizmit në shkolla, kryen punë edukative kundër racizmit – dhe është një pikë kontakti dhe vend takimi për fëmijët dhe të rinjtë që kanë përjetuar racizëm.
Të drejtat personale dhe ato të shoqërisë
Si “Iniciativa Hanau 19 Shkurt” ashtu edhe “Iniciativa Edukative Ferhat Unvar” do të nderohen në 13 nëntor me Çmimin e Paqes Aachen. Ajo jepet nga një shoqatë private. Lea Heuser është në bord dhe zëdhënëse për shtyp e shoqatës. Për DW ajo thotë se është e impresionuar se si “të afërmit thonë, pavarësisht traumës së tyre: “Ne duam të parandalojmë që diçka e tillë të përsëritet në të ardhmen”. Ajo mendon se është për këta njerëz duhet të thuash: “Mirë, ne luftojmë për të drejtat tona. E megjithatë ne luftojmë publikisht edhe kundër racizmit në shoqëri për shkak të shqetësimit tonë”.
Një ditë pas ndarjes së çmimeve, Ferhat Unvar ka ditëlindjen: më 14 nëntor ai do të bëhej 25 vjeç. E kjo ditë është edhe përvjetori i parë i themelimit të nismës arsimore që mban emrin e tij./DW
Fraksion.com