Arrestohen 5 shtetas për ushtrimin e lojërave të fatit
Policia e Tiranës goditi 6 raste të tjera të zhvillimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Në pranga u vendosën 5 shtetas, 2 të tjerë u proceduan dhe u shpall në kërkim një tjetër.
Si rezultat i këtij operacioni, Policia sekuestroi një shumë të konsiderueshme parash, 11 njësi kompjuterike, lëndë narkotike kanabis, 10 aparate celular dhe sende të tjera të kundraligjshme.
Në zbatim të planit të masave të hartuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, si dhe bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për ushtrimin dhe organizmin e lotarive dhe basteve sportive pa leje, vënien në dispozicion të lokaleve për lojëra fati dhe fshehjen e të ardhurave, Strukturat e DVP Tiranë dhe Komisariatet në varësi kanë vijuar kontrollet e vazhdueshme në lokale dhe ambiente të ndryshme.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara, në vijim dhe të operacionit “Fati i lojërave”, shërbimet e Policisë kanë goditur 6 raste të tjera, në vende dhe kohë të ndryshme.
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: F. K, 36 vjeç dhe J. M, 23 vjeç, pasi në rrugën “Xhanfizo Keko” në lokalin në administrim të shtetasit F. K, sherbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin J. M, duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit nëpërmjet celularit.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lëndë narkotike kanabis, shuma prej 99.600 lekësh, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme dhe sende të tjera të kundraligjshme.
Po ashtu, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: B. H, 30 vjeç dhe u shpall në kërkim M. N, 29 vjeç, pasi në rrugën “Nikolla Tupe” në lokalin në përdorim nga shtetasi B. H, dyshohet se ushtronte aktivitet të paligjshëm të lojrave të fatit, i cili nuk i është bindur urdhërit të punonjësve të policisë për të hapur derën.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të lokalit u gjetën e sekuestruan 11 njësi kompjuterike, 6 aparate celular, 4 tavolina pokeri, 3 valixhe me fisha (çipsa) dhe sende të tjera të kundraligjshme.
Po ashtu, Policia arrestoi shtetasin E. B, 26 vjeç, pasi në rrugën “Muhedin Llagami” në lokal, ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lojrave të fatit. Në brendësi të lokalit në një tavolinë të përshtatuar për lojra me çipsa, u konstatuan disa klientë.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë bënë arrestimin e shtetasit U. S, 40 vjeç, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit nëpërmjet celularit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua aparati celular dhe një shumë parash, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
Gjithashtu, nga specialistët e Komisariatit të Policisë Nr.3 dhe nga specialistët e Komisariatit të Policisë Nr.4 u proceduan në gjendje të lirë shtetasit L. G, 46 vjeç dhe L. B, 27 vjeç, pasi në lokalit e tyre përkatëse, u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit nëpërmjet celularit.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Fraksion.com