Misioni i NASA-s SpaceX “Crew-3” mbërriti në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar
Kapsula “Endurance” e SpaceX e lansuar të mërkurën nga qendra hapësinore “Kennedy” e NASA-s ka mbërritur në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar (ISS), transmeton Anadolu Agency (AA).
Ky është misioni i pestë hapësinor i SpaceX në 18 muaj dhe misioni i tretë i përbashkët operacional i kompanisë në pronësi të miliarderit Elon Musk me NASA-n, për këtë arsye është quajtur “Crew-3”.
Ekuipazhi i përbërë nga tre astronautë amerikanë dhe një gjerman, mbërriti në ISS 22 orë pas lansimit në orbitë me raketën “Falcon 9”.
Misioni i fundit pritet të zgjasë deri në prill 2022. Në një video të publikuar nga SpaceX, ekuipazhi i “Crew-3” shihet teksa i afrohet ISS-së.
“Ngjitja është bërë. Jemi të lumtur që jemi në ISS”, tha drejtuesi i ekipit, Raja Chari.
Numri i astronautëve që kanë udhëtuar në hapësirë në 60 vitet e fundit ka kaluar 600, përfshirë ekuipazhin prej 4 anëtarësh të misionit të fundit. Ky është viti me më shumë fluturime në hapësirë në një periudhë më të gjatë se 10 vjet.
Gjatë misionit të saj gjashtë mujorë “Crew-3” është planifikuar të kryejë mbi 200 eksperimente shkencore.
Fraksion.com