AktualitetTë fundit

Çuçi: RENEA 2 827 operacione me rrezikshmëri të lartë, ka shpëtuar dhjetëra jetë njerëzore

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi sot se, në buxhetin e vitit 2022, janë parashikuar investime dhe fonde shtesë për policinë, posaçërisht për forcat speciale, përfshirë dhe RENEA-n, për blerjen e teknologjive moderne dhe mjeteve të sofistikuara si dronët inteligjentë, kamera e radarë, si dhe çdo pajisje tjetër që do të lehtësojë punën.

Në ceremoninë e 30-vjetorit të themelimit të RENEA-s, Çuçi tha se, “kanë kaluar plot tre dekada, të mbushura me suksese të jashtëzakonshme, e të arritura përmes punës dhe sakrificës së njerëzve si ju, në dukje të zakonshëm, por edhe me mësime të vyera për të ardhmen, qëkur, më 12 nëntor 1991, kjo njësi u pagëzua me emrin RENEA. Që prej atij nëntori të largët, ky emër ka bashkëshoqëruar çdo aksion të bujshëm, të rrezikshëm, e njëherësh të suksesshëm të Policisë së Shtetit”.

“Sot, kjo njësi është “elita” e trupës së Policisë së Shtetit, e ky titull glorifikues, nuk i është dhënë as përmes një procedure të mistershme, e as përmes një akti burokratik. Kurorën e lavdisë, RENEA e ka fituar përmes sakrificash të pafundme, me jetë të humbura e të plagosur nga radhët e saj, në betejat pa kompromis me krimin!”, tha Çuçi.

“Gjatë rrugëtimit të vet në këto 30 vite, ky repart ka pësuar ndryshime të rëndësishme, për të arritur në modelin që kemi sot. Por kjo rrugë nuk ka qenë aspak e lehtë. Që nga krijimi i saj, kjo njësi ka organizuar dhe zgjidhur me sukses plot 2,827 operacione me rrezikshmëri të lartë, mesatarisht 94 operacione në vit, ose afërsisht 1 operacion çdo 4 ditë. Janë operacione, në të cilat rreziku i humbjes së jetës është i pranishëm gjatë gjithë kohës. Është fakt i njohur se RENEA ka shpëtuar dhjetëra jetë njerëzore në operacione me shkallë të lartë vështirësie, ashtu sikurse në raste fatkeqësish natyrore, zjarre e aksidente të ndryshme. Detyrat që kryen kjo njësi elitë e Policisë së Shtetit, kapin një fushë të gjerë që nis nga çlirimi dhe shpëtimi i pengjeve, te kapja dhe neutralizimi i grupeve të armatosura me rrezikshmëri të lartë shoqërore e deri te dhënia e ndihmës në rastet e emergjencave civile”, theksoi Çuçi.

“Më trishton sigurisht fakti që, nga radhët e RENEA-s kanë humbur jetën në përballje me krimin, 5 djem të shkëlqyer, oficerë shembullorë, të cilët sot prehen në varrezat e dëshmorëve. Emrat e tyre sot janë përjetësuar jo vetëm në memorien e secilit prej nesh, por edhe në “Murin e kujtesës”. I fundmi në radhë nga këta emra të spikatur të RENEA-s, është ai i Ibrahim Bashës, që humbi jetën në Lazarat, në përballje me trafikantët e kanabisit, që kishin krijuar një shtet brenda shtetit, që e zhbëmë përfundimisht. I përjetshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve të Policisë së Shtetit!”, u shpreh Çuçi.

“Ne si qeveri, kemi treguar një vëmendje e kujdes të veçantë e të vazhdueshëm për RENEA-n, duke përmirësuar kuadrin ligjor dhe trajtimin financiar, e pa diskutim, edhe duke modernizuar, rinovuar e forcuar bazën materiale, pajisjet dhe mjetet logjistike, për ta ngritur atë në nivelet e forcave homologe të vendeve të Bashkimit Evropian”, tha Çuçi.

“Në buxhetin e vitit 2022, kemi parashikuar investime dhe fonde shtesë për policinë, posaçërisht për forcat speciale, përfshirë dhe RENEA-n, për blerjen e teknologjive moderne dhe mjeteve të sofistikuara si dronët inteligjentë, kamera e radarë, si dhe çdo pajisje tjetër që do të lehtësojë punën tuaj”, u shpreh Çuçi.

“Sot, RENEA është akomoduar në ambiente të reja, të projektuara dhe ndërtuar enkas për një trupë të tillë elitare. Ambientet e qëndrimit, stërvitjes, programet e përgatitjes komplete etj., janë konceptuar dhe hartuar me asistencën teknike të specialistëve më të mirë gjermanë te Forcave Speciale GSG-9, si dhe të homologëve të ndryshëm të forcave speciale nga shumë vende partnere. Trajnimet e përbashkëta me disa nga njësitë e specializuara perëndimore, ndër më të mirat në botë, kanë rritur kapacitetet profesionale të secilit, duke shërbyer si një përvojë e çmuar, për të përballuar më së miri situatat në terren. RENEA gjithashtu është e pajisur me armatim modern dhe pajisje bashkëkohore, të cilat rrisin sigurinë e efektivëve, në zgjidhjen me sukses të operacioneve me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në terren”, nënvizoi Çuçi.

“Mbështetja financiare dhe investimet në pajisje dhe teknologji moderne, do të shtohen vit pas viti në këtë mandat 4-vjeçar, por edhe më tej si pjesë e vizionit tonë Shqipëria e Sigurtë – 2030, për të transformuar Policinë e Shtetit dhe Forcat e saj Speciale në shëmbëlltyrën e modeleve më të mira të forcave policore të vendeve të Bashkimit Evropian”, theksoi ai.

 

Fraksion.com