AktualitetTë fundit

Rritje me 65% e buxhetit për modernizimin e Mbrojtjes, Peleshi: Dyfishim i investimeve

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot gjatë prezantimit të buxhetit për vitin 2022 se “për vitin e ardhshëm parashikohet një rritje spektakolare prej 65 % e buxhetit për modernizimin e Forcave të Armatosura”.

Peleshi u shpreh se buxheti i vitit 2022 është 32 % më shumë krahasuar me buxhetin e këtij viti.

“Buxheti i Mbrojtjes është 32,6 miliardë lekë, ndërkohë që 102 % është rritja në zërin e investimeve në buxhetin 2022. Pra, kemi dyfishim të investimeve në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes”, tha Peleshi.

Po ashtu, Ministri theksoi se “Shqipëria ka depozituar në NATO një grafik sipas të cilit buxheti i Mbrojtjes do të shkojë në 2 % të PBB-së në vitin 2024”.

“Me 1.75 % të PBB-së që ky buxhet ka në vitin 2022, ne i përmbahemi angazhimit duke qenë një vend dinjitoz në NATO”, tha Peleshi.

Ministri veçoi si historike dhe të prekshme edhe një arritje të madhe të këtij buxheti, rritjen e pagave me 30 % nga ushtari i parë, deri tek ai me grada më të larta. Peleshi tha se janë më shumë se 6 mijë përfitues nga ky vendim.

“Kisha një pritshmëri për një rritje deri në 15 % dhe nuk mendoja se do të arrinim për rritje 30 %, ndaj e falënderoj Kryeministrin në emër të Forcave të Armatosura”, tha ai.

Peleshi siguroi se do të investohet edhe në pikat e dobëta. “Me këto hapësira buxhetore që na krijohen duhet të ndreqim së pari disa fusha ku kemi shumë punë për të bërë. Gatishmërinë e mjeteve tona ajrore, detare e tokësore, pra për të gjetur recetën e duhur inteligjente si të kemi një gatishmëri më të lartë. Kemi aplikuar këtë vit së pari një bashkëpunim me një agjenci të specializuar të NATO-s, Agjencinë e Prokurimeve të NATO-s, për mirëmbajtjen e helikopterëve. Do të delegojmë prokurimin te Agjencia e Prokurimit të NATO-s dhe duam ta shtrijmë këtë praktikë”, tha Peleshi.

Viti 2022, sipas ministrit, do të mbahet mend si vitit i fillimit të punimeve të bazës së Kuçovës.

“Për pak ditë do të kemi ceremoninë e fillimit të punimeve në bazën e Kuçovës. Janë 40 milionë euro që do të investohen nga NATO dhe 10 % e kësaj vlere do të jetë kontribut nga ana jonë për një projekt shtesë”, tha ai.

Peleshi theksoi po ashtu se “Shqipëria është aktive në misionet ndërkombëtare. Kjo është një mënyrë për të treguar se nuk jemi në NATO vetëm për të përfituar, por jemi edhe për të kontribuar. Duam të tregojmë se jemi kontributorë realë. Ne jemi aktivë edhe në nisma rajonale. Edhe ‘Defender 2023’ me shumë gjasa do të ketë si vend pritës Shqipërinë, nisur nga suksesi i ‘Defender 2021’, gjë që çimenton rëndësinë strategjike që ky vend ka në rajon dhe NATO”.

Po ashtu, ministri siguroi se “brenda vitit 2022 do të kemi një trupë të dedikuar për emergjencat civile brenda Forcave të Armatosura me infrastrukturën, mjetet dhe buxhetin e saj”.

Sipas tij, në buxhetin 2022 parashikohen 2.1 miliardë lekë për investime për emergjencat civile.

 

Fraksion.com