AktualitetPolitikëTë fundit

“Prapaskena”, Rutte merr dhuratat e vizitave të parealizuara nga viti 2015

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të kryeministrit Edi Rama.

Rama ndau një prapaskenë nga vizita e kryeministrit holandez, në takimin bilateral në Sallën e Hartave.

Kryeministri Rama i dorëzoi gjatë vizitës së sotme homologut holandez edhe dhuratat që parashikon protokolli zyrtar në të tilla raste.

Por, këtë herë kryeministri Rutte mori 4 dhurata, përfshirë edhe ato që ishin planifikuar për vizitat e parealizuara të tij në Shqipëri në vitet 2015, 2017 dhe 2019.

Për vizitën e parë që ishte planifikuar të zhvillohej në vitin 2015 dhe nuk u krye Rama i dhuroi foto të kolonelit holandez, Tomson dhe butona për mansheta të dizenjuara nga vetë ai.

“Kjo është vizita e parë, në 2015. Duhet të vije që në 2015 po nuk erdhe. Kjo është dhurata e vizitës tënde të parë, po të pret që nga 2015. Ky është koloneli i famshëm holandez, Tomson dhe kjo është një poezi, një elegji kushtuar atij nga një prej figurave tona më të rëndësishme historike (Fan Noli), i cili ishte përkthyes, shkrimtar, poet, kryeministër dhe përfundoi kryepeshkop. Ishte njeriu që shpalli pavarësinë e Kishës Ortodokse shqiptare. Një burrë i madh”, tha Rama, ndërsa i dhuroi edhe butona për mansheta të dizenjuara personalisht nga ai me shqiponjën shqiptare, shqiponjën e Skënderbeut dhe helmetën e tij.

Në vizitën e dytë e planifikuar të ndodhte në 2017 por që sërish nuk u realizua, Rama i dhuroi një libër për Tomson.

“Kjo është e vizitës së dytë Mark, në 2017. Një libër për Tomsonin. Këtu ke një letër prej meje të 2017 që ka shpjegime për Tomsonin, Shqipërinë e të tjera. Tomsoni ka një statujë të madhe në Durrës”, tha Rama.

Për vizitën e tretë në 2019 (e parealizuar), Rama i dhuroi homologut holandez verën e tij dhe një kravatë të dizenjuar nga ai.

“Unë dizenjoj shishet dhe një mik i imi bën verën. Kjo është një kravatë që mund të mos e mbash, por mund ta mbash si vepër arti në zyrë”, tha Rama, ndërkohë që Rutte iu përgjigj se nuk e mbante dot kur takonte mbretin, por mund ta mbante në raste të tjera.

Ndërsa për vizitën e sotme, kryeministri Rama i dhuroi homologut holandez një tjetër libër bashkë me një dedikim të gjatë.

“Është një libër i jashtëzakonshëm që ka dalë javën e kaluar në Holandë. Është diçka e jashtëzakonshme rreth Shqipërisë përpara rënies së komunizmit, është historia e një familjeje gjatë komunizmit”, tha Rama.

Libri i përkthyer në holandisht është shkruar nga një profesore e Teorisë Politike në London School of Economics.

Fraksion.com