AktualitetPolitikëTë fundit

“Buxhetin për FA-të”; Rama: Rritja me 30%, më e madhja ndonjëherë, do t’i rrisim sërish vitin tjetër

Kryeministri Edi Rama ka premtuar tjetër rritje pagash për Forcat tona të Armatosura, përveç 30% tashmë të shkruar tashmë në buxhetin e shtetit. Në prezantimin e buxhetit për FA-të, Rama tha se ndihet i lehtësuar sot për mbajtjen e një premtimi dhe se rritja 30% është me e madhja ndonjëherë.

“Së pari dua t’ju them drejtpërdrejt meqë më jepet kjo mundësi që jam ndier mirë dhe shumë krenar duke dëgjuar fjalë nga më mbresëlënëset prej gjeneralëve që ishin këtu në Shqipëri dhe drejtuan misionin e madh, stërvitjen më të madhe ushtarake të 3 dekadave të fundit ‘Defender Europe 2021’ dhe realisht ju nuk i keni dëgjuar në media sepse nuk kanë qenë fjalë për media, nuk kanë qenë fjalë për të thënë fjalë të bukura në publik, por kanë qenë fjalë të thëna pa asnjë interes, dhe asnjë nevojë tjetër, përveçse nevojës për të shprehur admirimin për të gjithë ju dhe për të gjithë ata të tjerë që janë pjesëtarë të FA-ve.

Duke e ndjekur këtë aktivitet nga afër mëson që t’i çmosh shumë herë më shumë cilësitë dhe meritat tuaja, të të gjithëve që nga ushtari i saporekrutuar deri tek shefi i shtabit të përgjithshëm, të cilit posaçërisht dua t’i shpreh respektin dhe mirënjohjen për punën që bën. Në më shumë se njëherë kam mundur të çmoj lidershipin e tij.
Nga ana tjetër dua që sinqerisht t’i përshëndes me këtë rast të gjitha familjet tuaja, të gjithë të afërmit tuaj sepse nuk ka asnjë punë të lehtë kur puna duhet bërë mirë, por puna juaj ka një vështirësi të veçantë, imponimin e një sakrifice jo të vogël që është shkëputja nga familja dhe të jetuarit shumë shpesh në distancë me familjen.
Më vjen po ashtu mirë sot t’ju them se unë e shoh me shumë optimizëm çdo ditë të nesërme të FA-ve sepse jo vetëm që do t’i krijojmë deri në fund mundësitë për të fituar shumë nga koha e humbur, por edhe për të zvogëluar sistematikisht hendekun me shumë trupa të tjera ushtarake të Aleancës, në aspektin e motivimit financiar, në aspektin e kushteve dhe të gjitha atyre bonuseve që rrjedhin detyrimisht nga kontributi juaj, por edhe sepse në krye të Ministrisë së Mbrojtjes sot kemi një koleg, një anëtar të kabinetit tonë që është njeriu i duhur në kohën e duhur për të adresuar sfidën e madhe të kalimit të FA-ve në një nivel tjetër, në aspektin e teknologjisë dhe rritjes së kapacitetit dhe kontributit brenda Aleancës falë mundësisë që teknologjia i jep çdo vendi për të bërë kapërcime që kurrë nuk do të ishin të mundura në kohët e mëparshme, kur teknologjia ende nuk ishte kjo që është sot”, deklaroi Rama.

Ai tha më tej se me këtë rritje pagash ne nuk kemi më ushtrinë më pak paguar në NATO duke theksuar synimin që brenda mandatit të tretë të jemi diku në mes të vendeve të Aleancës për pagat e ushtarakëve.

“Dua ta filloj rreshtimin e pak pikave me shprehjen e lehtësimit tim që sot jam këtu para jush me një zotim të mbajtur për një rritje të konsiderueshme të pagave. Nuk është rritja e parë e pagave që bëjmë pas një periudhe shumë të gjatë kur FA-të tona mbetën shumë mbrapa në aspektin e rritjes së pagave, por kjo është një rritje e konsiderueshme. Nëse u takuam me ju pas asaj krize të rëndë zjarresh në gusht, unë thashë se do të rrisim pagat dhe sot pagat faktikisht janë të shkruara me 30% rritje në buxhetin e vitit të ardhshëm, sot po ju them se vitin tjetër do t’i rrisim përsëri pagat. Besoj që nuk ka asnjë arsye që FA-të për energjinë, sakrificën dhe vlerën e shtuar që krijojnë, si dhe potencialin që kanë për të rritur në mënyrë të vazhdueshme kapacitetin e tyre profesional të jenë mbrapa nga shumë vende të Aleancës, që edhe pse janë shumë të forta se ne ekonomikisht, ne nuk kemi pse të mos synojmë që t’i mbërrijmë. Me këtë rritje pagash ne nuk kemi më ushtrinë më pak paguar në NATO. Nuk jemi as në krye, se aty nuk besoj se do të arrijë ndonjëherë kush, nuk jemi as në mes, por nuk jemi më të fundit. Ky është hapi i parë. Ambicia është që brenda mandatit të tretë, ne të jemi diku në mes. Besoj që do ta arrijmë. Rritja e pagave që është rritja më e lartë ndonjëherë e pagave për FA-të, është me lartë se paga që u rrit me 25% përpara disa vitesh për policinë e shtetit, kuptohet që vjen si rezultat i asaj që keni dhënë dhe faktit që keni nderuar Shqipërinë dhe e keni vendosur qeverinë e Shqipërisë në një pozitë të vështirë për të gjetur mundësinë që pavarësisht vështirëve të kohës, pavarësisht vështirësive specifike që ne kemi, që lidhen qoftë me goditjen nga tërmeti, apo krizën energjetike, atëherë është e drejtë që ne të presim që nga këto investime të merituara plotësisht të marrim mbrapsht edhe më shumë për vendin. FA-të tona pavarësisht se në numër janë një trupë modeste, pavarësisht se prania e tyre në misione ushtarake jashtë është modeste, ta rrisim me cilësi atë reputacion që sot e ka me të vërtetë të mirë dhe ushtria shqiptarë të bëhet një model se si një vend i vogël ia del të ketë një forcë ushtarake model në çdo pikëpamje”, deklaroi kreu i qeverisë.

 

Fraksion.com