AktualitetBota+Të fundit

Polonia mbyll kufirin me Bjellorusinë pas përshkallëzimit të krizës me migrantë

Polonia ka mbyllur kufirin me Bjellorusinë më 9 nëntor, pasi migrantët nga ana bjelloruse kanë tentuar të kalojnë përtej ndalesës me gjemba, duke përshkallëzuar krizën me migrantë që ka alarmuar Bashkimin Evropian.

Zyrtarët polakë kanë thënë se bëhet fjalë për mbyllje të pikës kufitare Bruzhi-Kuznica, afër së cilës migrantët kanë ndërtuar kampe.

Qeveria e Polonisë ka publikuar më 8 nëntor, disa incizime në Twitter, në të cilat shihen disa njerëz që tentojnë të kalojnë ndalesat me gjemba.

Ministria e Brendshme në këtë shtet, ka thënë se ka penguar përpjekjet.

Zëdhënësi i Qeverisë polake, Piotr Mueller, u ka thënë gazetarëve më 8 nëntor se rreth 3,000-4,000 migrantë janë afër kufirit të Bjellorusisë me Poloninë dhe mijëra tjerë janë të gatshëm për ta ndjekur atë rrugë.

“Presim që të ketë përshkallëzim të tillë në kufirin polak në të ardhmen, dhe mund të jetë i natyrës së armatosur”, ka shtuar ai.

Mueller ka fajësuar “njerëzit e lidhur me shërbimet speciale të Bjellorusisë”, për organizim të tentimeve për thyer ndalesën kufitare.

Ministria e Jashtme e Bjellorusisë ka thënë më 9 nëntor se dëshiron ta paralajmërojë paraprakisht anën polake kundër çfarëdo provokimi ndaj Republikës Bjelloruse, për të arsyetuar përdorimin ilegal të forcës kundër personave të paarmatosur, shumica prej të cilëve janë gra dhe fëmijë.

Situata e fundit në kufi ka rritur krizën që është prezente në këtë rajon për disa muaj.

Bashkimi Evropian akuzon liderin bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, se është duke dërguar migrantët nga Lindja e Mesme dhe Afrika për në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, dhe më pas po i dërgon ata në kufi me vendet e BE-së: Lituani, Letoni dhe Poloni, në shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve të Brukselit, që kanë në qendër shtypjen që i ka bërë qeveria opozitës.

Lukashenka, në anën, tjetër, mohon akuzat.

Komiteti Shtetëror i Bjellorusisë, ka thënë se “qasja jonjerëzore” e autoriteteve polake i ka dëshpëruar refugjatët.

Anton Bychkovsky, zëdhënës i Komitetit, ka thënë për agjencinë e lajmeve Associated Press, se ata njerëz duan “të ushtrojnë të drejtën e tyre për të aplikuar për status të refugjatit në BE”.

Bychkovsky ka insituar se ata nuk përbëjnë kërcënim për sigurinë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka biseduar më 8 nëntor me kryeministrat e Polonisë, Lituanisë dhe Letonisë, dhe më pas u ka bërë thirrje vendeve të bllokut evropian “që të miratojnë regjimin e sanksioneve ndaj autoriteteve bjelloruse që janë përgjegjëse për këtë sulm hibrid”.

BE-ja do të analizojë mënyra për sanksione, duke përmendur edhe përfshirjen e linjave ajrore të vendeve të treta në listë të zezë, të cilat “janë aktive në trafikim të njerëzve”, ka thënë ajo.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme në Gjermani, Horst Seehofer, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të veprojë, duke thënë se as Polonia, dhe as Gjermania, nuk mund ta menaxhojnë të vetme krizën.

Departamenti amerikan i Shtetit ka shprehur shqetësim për “imazhet dhe raportimet” që janë të lidhura me kufirin Bjellorusi-Poloni.

Polonia veçse ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në kufi dhe ka rritur numrin e ushtarëve dhe pjesëtarëve të gardës.

Ligjvënësit kanë miratuar edhe ndërtimin e një muri në vlerë të 407 milionë dollarëve në kufirin lindor.

Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, ka thënë në Twitter që më shumë se 12,000 ushtarë janë të angazhuar në kufi dhe një forcë vullnetare e mbrojtjes është vënë në gatishmëri.

Zyrtarët e Lituanisë janë duke u përgatitur për mundësinë e përballjes me një situate të ngjashme në kufi me Bjellorusinë, andaj Ministria e Brendshme ka propozuar shpalljen e situatës së jashtëzakonshme.

“Jemi duke u përgatitur për të gjithë skenarët e mundshëm”, ka thënë Rustamas Liubajevas, udhëheqës i gardës kufitare të Lituanisë./REL

 

Fraksion.com