DW: Pse nuk vjen fuqia punëtore e kualifikuar në Gjermani?
Gjermanisë po i mbarojnë forcat e kualifikuara punëtore, por vetëm 16% e sipërmarrjeve gjen punëtorë të huaj të kualifikuar. Një studim i fondacionit Bertelsmann kërkon për arsyet.
Nga viti në vit më e vështirë?
Gjendja ndryshon sipas degës, rajonit, profesionit dhe kualifikimit. Nëse pyeten sipërmarrjet që vuajnë nga mungesa e fuqisë së kualifikuar, se çfarë mungon më shumë, atëherë merr përgjigjen nga çdo e dyta firmë, se mungojnë personat me shkollim profesional të përfunduar. Tek akademikët është çdo e katërta sipërmarrje. Ndërsa po të shikosh sektorët ekonomikë, vëren se sektori i shëndetësisë dhe ai kujdesit për të moshuarit vuan më së shumti nga mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore.
“Fakt është që po na mbarojnë forcat e kualifikuara”, paralajmëroi në gusht kreu i Agjencisë Federale të Punës, Detlef Scheele. “Nga fuqia punëtore tek kujdesi për të moshuarit tek teknikët e klimës apo logjistika dhe akademikët. Gjithkund do të mungojnë forca punëtore.” Sipas Scheele duhen 400.000 të huaj të kualifikuar në vit për të mbushur boshllëqet e tregut të punës. Në praktikë ardhja e fuqisë së kualifikuar punëtore nuk luan ndonjë rol të madh. Vetëm 16% e sipërmarrjeve sipas studimit të Berstelsmann thanë se po marrin forca punëtore nga jashtë. Shumica përpiqen të tëheqin fuqinë punëtore të brendshme me oferta joshëse. Rroga më të larta, shkollim të mëtejshëm, apo oferta kujdesi për familjen.
Gjuha pengesa kryesore
Nga marsi 2020 është në fuqi në Gjermani një ligj që lehtëson fuqinë e kualifikuar punëtore nga shtetet jo-anëtare të BE të vijë në Gjermani. Megjithatë shumë sipërmarrje i tremben tërheqjes së fuqisë punëtore nga jashtë. Arsyet janë të ndryshme. Por më kryesorja është shqetësimi për vështirësitë e komunikimit gjuhësor dhe vështirësia në vlerësimin e kualifikimit të aplikuesit. Pak a shumë të njëjta, por me dallim në sektorë janë edhe përgjigjet e sipërmarrjeve që kanë rekrutuar ndërkohë fuqi punëtore nga jashtë. Këtu del, se disa rezerva nuk janë edhe aq të pajustifikuara. Për shembull tek gjuha. Kurse pengesat burokratike nga ana tjetër dolën në anketim si më të ulta se sa dukej në fillim.
Ulje e barrierave
Fondacioni Bertelsmann në studimin e tij arrin në përfundimin, se përpjekjet e politikë për të përmirësuar ardhjen e fuqisë punëtore kanë dhënë fryte. Për shembull përmes procedurës së përshpejtuar, përmes nxitjes së mësimit të gjuhës e përmirësimit të ofertës së informimit për njohjen e diplomave të huaja janë arritur rezultate. Por “megjithatë pengesat për përftimin e fuqisë punëtore mbeten megjithë progresin e dukshëm”, paralajmëron Matthias Mayer, ekspert i migracionit në Fondacionin Bertelsmann.
Në studim 67% e sipërmarrjeve presin që vitin e ardhshëm të kenë më pak fuqi punëtore se sa kanë nevojë. “Mungesa e fuqisë punëtore do të ashpërsohet më tej dhe përfundimi i saj nuk duket. Si shoqëri kemi nevojë për zgjidhje të qëndrueshme për të përballuar ndryshimin demografik dhe transformimin social-ekologjik”, thotë Mayer.
Partneritete ndër-kombëtare
Vendimtare shihet se si do të zbatohet ligji për ardhjen e fuqisë së kualifikuar punëtore.Këtu bën pjesë, sipas ekspertëve të migracionit që të bëhen më të kuptueshme kompetencat e fituara jashtë dhe njohja e tyre. Një ide është krijimi i partneriteteve të shkollimit mes Gjermanisë dhe vendeve të tjera, që mund të kontribuojnë për përmirësimin e tërheqjes së fuqisë punëtore që dëshiron të vijë. Në këtë drejtim 57% e sipërmarrjeve janë shprehur pozitivisht për më shumë ujdi ndër-kombëtare për ndërmjetësimin dhe shkollimin e fuqisë së kualifikuar punëtore.
Fraksion.com