AktualitetPolitikëTë fundit

Basha në Kuvend: Vetingu në politikë, pastrimi i domosdoshëm

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shtroi sot nga foltorja e Kuvendit, pyetjen nëse realisht është e pamundur, ashtu siç u shpreh sipas tij kryeministri Rama, të ndalohet largimi i shqiptarëve jashtë vendit.

Duke e cilësuar katastrofë kombëtare, Basha tha se për të jemi të gjithë dëshmitarë.

“Teksa shohim shkollat që mbyllen për mungesë nxënësish, fshatrat që zhduken nga harta e Shqipërisë, të rinj dhe të reja që ikin përditë, studentë që nuk duan të kthehen më pas një përvoje jashtë vendit. Pra, një tkurrje alarmuese që vendos në pikëpyetje të fortë qëndrueshmërinë tonë si shoqëri, jo vetëm sot, por edhe në dekadat në vijim”, tha Basha.

“Përgjigjen e këtij që ulet prapa, këtij që ndër rekordet e zeza në drejtim të vendit ka arritur të shënojë edhe renditjen e Shqipërisë përpara Sirisë në luftë civile të Asadit, sa i përket numrin e azilkërkuesve në Europë, e keni. Jo vetëm me fjalë, sic është shprehur pak ditë më parë, por edhe me vepra”, iu drejtua ai Kuvendit.

“Sepse në 8 vite, edhe pse ka rritur taksat, Edi Rama ka marrë borxh sa të gjitha qeveritë e Shqipërisë së bashku, nga 1991 deri në 2013-ën, miliarda euro borxh në emër të shqiptarëve, të cilat nuk u kthyen në mirëqenie për familjet e thjeshta, as nuk shkuan për një sistem arsimor më të mirë, as për një sistem shëndetësor më cilësor, as në mbështetje për blegtorët dhe fermerët, as në rroga më të larta, as për pensione dinjitoze për të moshuarit tanë. Miliarda euro borxh në emër të shqiptarëve, edhe njëherë sa të gjitha qeveritë të marra bashkë nga 1991 deri në 2013-ën, që nuk shkuan për qytetarët dhe as nuk e bën dot Shqipërinë një vend më të jetueshëm, por e kthyen në një vend që konkurron me shtetet në luftë civile për numrin e azilkërkuesve në Europë, në raport me popullsinë”, tha ai.

“Në këtë shtet të cilësuar si i kapur nga korrupsioni nga “Transparency International”, të cilin Departamenti Amerikan i Shtetit e rendit si vendin më të korruptuar në rajon dhe në Europë, këto miliarda euro borxh të marra në emër të shqiptarëve shkuan për një grusht të vogël njerëzish, të lidhur ngushtë me këtë që është ulur këtu mbrapa, që e mjelin shtetin e shqiptarëve si doktorë shkencash, edhe pse nuk kanë diplomë nga akademia e barinjve me të cilën tallen për të mbuluar dështimin në sektorin e bujqësisë. Mjafton t’i hedhim një sy projektbuxhetit të vitit të ardhshëm, ku duket qartë se cilat janë prioritetet e tyre”, u shpreh kreu i PD-së, Basha.

Basha: 50 % e shqiptarëve jetojnë me rrezikun e varfërisë

Kryetari i PD-së u ndal në fjalën e tij në Kuvend edhe tek shifrat e Eurostat, duke cituar se 50 % e shqiptarëve jetojnë me rrezikun e varfërisë dhe përjashtimit social.

“Kjo sipas Eurostatit me një shifër që është më e larta në rajon dhe 2 herë me e lartë se mesatarja e BE-së”, tha Basha.

“Pak problem është për ta se Shqipëria po përballet dhe do të përballet me efektet shkatërrimtare që sjell largimi i mjekëve, inxhinierëve, ekspertëve, pra e pjesës më të gjallë dhe të kualifikuar të shoqërisë. Pak problem është për ta se largimi i të rinjve do të godasë pamëshirshëm ekonominë e vendit, me rënien e pashmangshme të fuqisë punëtore. Pak problem është për ta që sistemi arsimor po përballet me rënien e vazhdueshme të numrit të nxënësve dhe studentëve. Pak problem është për ta që kjo zbrazje e klasave, në të gjitha nivelet, do të thotë rënie e numrit të mësuesve dhe pedagogëve. Pak problem është për ta se rënia e popullsisë, që do të thotë edhe rënie të lindjeve, do të godasë sistemin shëndetësor dhe atë të pensioneve. Sepse hallet e tyre nuk janë hallet e qytetarëve, por koncesionet dhe PPP-të”, u shpreh Basha.

Vetingu në politikë, Basha: Pastrimi i politikës i domosdoshëm

Kryetari i PD-së tha se “zgjidhja që ne ofrojmë për qytetarët shqiptarë është vetingu në politikë”.

“Një instrument që shërben për pastrimin e politikës dhe njëkohësisht krijon premisat e domosdoshme për rritjen e përgjegjshmërisë së politikanëve në mënyrë të tillë që të mos përfaqësojnë interesa korruptive dhe kriminale, por interesat e qytetarëve.
Duke thyer bashkëpunimin mes politikës, krimit dhe oligarkisë, ne mund të adresojmë realisht krizën e korrupsionit që ka gjunjëzuar shtetin, ka shkërrmoqur demokracinë, dhe po mbyt të ardhmen e Shqipërisë duke e bërë të pajetueshme për shqiptarët”, theksoi ai.

“Që parlamenti, qeveria dhe institucionet e tjera që u përkasin qytetarëve, të punojnë për familjet shqiptare, për problemet e vogla dhe të mëdha që shqetësojnë çdo ditë njerëzit e këtij vendi, duhet të mos jenë strehë për ata që kanë abuzuar me besimin e qytetarëve dhe që janë pasuruar në kurriz të tyre, duke marrë vendime dhe ulur e ngritur kartonat në shërbim të krimit apo oligarkisë, në dëm të familjeve shqiptare”, theksoi Basha.

“Pa dyshim e di, që kjo nismë e shumëpritur nga qytetarët, nga disa anatemohet si drakoniane. Shoh edhe se si po shkelet syri ekraneve mes atyre që duken të pangjashëm në tip, por janë të ngjashëm në halle. I shoh teksa po saldojnë edhe aleanca të fshehta e publike, të diktuara nga frika që ju ngjall përballja me atë që i kanë bërë këtij vendi, të dëshpëruar për të ruajtur status quo-në dhe ekuilibrat e vjetër”, tha Basha.

Por, sipas tij, rendi i gjërave ka ndryshuar njëherë e përgjithmonë.

“Prandaj kundërshtarët e vetingut në politikë do të jenë një pakicë e papërfillshme, pasi të paktë janë përfituesit nga abuzimet që kryejnë ata që kthyen jetën e shqiptarëve në makth
Ndërsa të shumtë, në fakt shumicë absolute janë të gjithë ata shqiptare e shqiptarë që përfitojnë nga fundi i makthit të korrupsionit dhe krimit të lidhur me politikën”, tha Basha.

 

Fraksion.com