“Tentativë e tij për të uzurpuar FRPD-në”; Nebiaj: Synojmë zgjedhjen e një kryetari që s’punon për…
Grupi i posaçëm i punës për organizmin e zgjedhjeve në FRPD deklaroi këtë të shtunë se ka nisur riorganizimin e zgjedhjeve në të gjitha strukturat për realizimin e një procesi në funksion të një demokracie gjithëpërfshirëse.
Ori Nebiaj, si e mandatuar në krye të grupit të punës, tha për mediat se FRPD është gati për realizimin e një procesi gjithëpërfshirës që s’mandaton një kryetar për interesa personale, por një forum që bashkon dhe që s’ndan.
“Ka dy vite që ka tejkaluar mandatin dhe FRPD duhej të ishte riorganizuar me kohë dhe duhej ti kishte bërë zgjedhejt, pasi ka tejkaluar mandatet e veta”, tha ajo.
Nebiaj theksoi se është e rëndësishme që sot të afrohemi të gjithë për një frymë më optimiste për të rinjtë që duhet t’i bashkohen politikës, jo me ambicien për të patur një mandat që vlen vetëm për veten dhe interesat personale.
“Demokracia duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe transparente dhe kështu që ne si grup pune duhet të kujdesemi që të kemi një proces të bukur, transparent dhe gjithëpërfshirës”, tha ajo.
Edhe pse nuk ka një datë për fillimin e këtij procesi, Nebiaj tha se në ditët në vazhdim do të kemi komunikime të tjera në lidhje me të gjitha udhëzimet që do dalin.
Zgjedhjet për kryetar të FRPD-së janë mbajtur për herë të fundit në dhjetor 2015 dhe mandati i kryetarit dhe forumeve drejtuese kishte përfunduar dy vite më parë.
Këlliçi tha se kjo është një tentativë e tij për të uzurpuar FRPD-në, por kishin rënë dakord që zgjedhjet për pasuesin e tij, t’i bënin në një moment të dytë, kur situata brenda PD-së, të ishte më e qetë, referuar përplasjeve Basha-Berisha.
“Ne kishim vendosur që këtë proces për zgjedhjet ta nisnim kohë më parë, por duke qenë se PD që prej 10 shtatorit ndodhet në një gjendje kritike, ndodhet në një gjendje të vështirë dhe krizë të brendshme që ne gjykojmë se duhet të zgjidhet përmes votës, ne nuk kemi vepruar dhe nuk momenti për të uzurpuar forumin e PD. Kur do të piqen kushtet në PD për të pasur një proces të vërtetë, atëherë po“, tha ai.
Kjo nuk është hera e parë që FRPD-ja, të paktën një pjesë e anëtarëve, i ka dalë kundër Lulzim Bashës. Pak muaj më parë, një grup prej 30 të rinjve demokratë, përfshirë këtu edhe djalin e të ndjerit, Sokol Olldashi, Glauk Olldashi, hartuan një peticion ku kërkonin referendum për përjashtimin e Sali Berishës.
Lulzim Basha njoftoi hapjen e garës për rioganizimin dhe zgjedhjet në FRPD, ku theksohet kryetari zgjidhet sipas parimit 1 anëtar, 1 votë. Basha udhëzoi nisjen e procesit të rifreskimit të strukturave dhe ngritjen e një grupi pune që do të mbikëqyrë procesin. Sipas tij, mandati i shumicës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së ka mbaruar dhe një pjesë e drejtuesve kanë tejkaluar moshën, për pasojë FRPD-ja duhet të shkojë në zgjedhje.
Në krye të grupit të punës është vendosur Oriela Nebiaj, e cila u kandidua nga Basha edhe si deputete në qarkun e Tiranës.
Grupi i posaçëm i punës për zgjedhjet në FRPD
- Oriela Nebiaj
- Hergert Alimerko
- Dario Sejdini
- Enkelejda Rica
- Juela Hamati
- Anita Doçi
Fraksion.com