Miku i tij e mori në telefon dhe nuk u kthye më, zhdukja e 43-vjeçarit në Tiranë, ja dyshimet e policisë
Një telefonatë e fundit dhe largimi për të mos u kthyer më. Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar për “BalkanWeb” detaje të tjera për zhdukjen e 43-vjeçari Rruzhdi Hoxha në Tiranë, baba i dy fëmijëve dhe pronar i një biznesi inertesh në dalje të Kamzës.
Lala raportoi se Hoxha ka qenë duke pirë kafe diku pranë autostradës Tiranë-Durrës pasi është telefonuar nga miku i tij me iniciale F.Rr. dhe kanë lëvizur me makinën e tij në drejtim të Zall Herrit.
Ndonëse fillimisht u regjistrua si largim nga shtëpia, policia po heton për një rrëmbim të mundshëm për shkak të borxheve pasi biznesi i tij është drejt falimentimit.
“Po hetohet për akuzën e rrëmbimit dhe mbajtjes peng të personit.
Miku i tij ka pohuar se pas takimit me Hoxhën dhe një xhiroje me makinë e ka kthyer sërish në lagje dhe ka mohuar të ketë gisht në zhdukjen e tij.
Hoxha ishte larguar dhe herë të tjera nga banesa, por ishte kthyer brenda 2-3 ditësh.
Familjarët e tij janë pyetur, por nuk kanë dhënë emra të dyshuar. Janë këqyrur kamerat e sigurisë në zonën pranë Shkollës së Bashkuar ku është gjetur telefoni i tij. Ndërkohë që është thirrur djali dhe vëllai i 43-vjeçarit për të këqyrur telefonin, i cili është gjetur ditën e djeshme. Policia po vijon kontrollin e zonës”, raportoi Lala.
Fraksion.com