AktualitetPolitikëTë fundit

Rama nga Beogradi: “Ballkani i hapur” në shërbim të njerëzve dhe mirëqenies ekonomike

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Beogradi se “Ballkani i hapur” pa asnjë diskutim është një nismë në shërbim të njerëzve, mirëqenies ekonomike e shoqërore të këtyre popujve, që përtej të gjitha mosdakordësive meritojnë të jetojnë më mirë dhe të kenë një hapësirë shumë më të madhe lëvizje dhe ndërveprimi në favor të mirëqenies së tyre”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp të organizuar pas takimit të radhës mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në kuadër të nismës për bashkëpunim “Ballkani i hapur”, Kryeministri Rama tha se “sot, ndryshe nga takimet e tjera gjithë fokusi ka qenë te njerëzit, te kompanitë, fermerët, distributorët, punëtorët, akademikët, studentët, që janë edhe përfituesit real të ‘Ballkanit të hapur’”.

“Secili në mënyrën e vet vuajnë pritjet në kufi dhe barrën e rëndë të burokracisë, të agjencive, kontrolleve e inspektimeve. Mua më vjen shumë mirë që jemi fokusuar aty ku është edhe thelbi i kësja nisme, si të zgjerojmë ekonomitë tona, tregjet tona që mbeten tregje të vogla në vetvete, por që nëse integrohen me njëra-tjetrën atëherë kthehen në një treg të rëndësishëm, jo vetëm për aktorët tanë të tregut, por edhe për investimet e huaja direkte në këtë zonë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “gjithmonë e më tepër po del në pah, dhe kjo shihet në Serbi por edhe në gjithë vendet e tjera, që kjo nismë lidhet me hapësirën e shfrytëzimit të tregut dhe që të përfitojmë më shumë investime të huaja direkte që sjellin shumë më tepër punësim cilësor dhe vlerë të shtuar, për të cilën ne duhet të ofrojmë një hapësirë më të gjerë”.

“Sot na u dha mundësia të ballafaqohemi direkt me sipërmarrësit, me kompanitë si dhe me problemet e tyre reale. Të gjithë njëzëri janë në mbështetje të ‘Ballkanit të hapur” dhe kërkuan që çdo marrëveshje që ne nënshkruajmë në nivelin politik dhe qeveritar të përkthehet në një realitet të prekshëm për ta në kufi, aty ku fillojnë problemet”, tha Rama.

Kryeministri përcolli shqetësimin e eksportuesve nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut të frutave, perimeve të freskëta apo qumështit, produkte të cilat nuk mundet dot të rrinë me ditë nëpër kufi duke shtuar në mënyrë marramendëse jo vetëm kostot nga pikëpamja e kohës dhe angazhimit të njerëzve por edhe kostot negative mbi vetë produktet.

“Nuk mundet dot që të premten në darkë të arrish në kufi dhe të presësh të hënën për të çuar në anën tjetër qumështin se i bie të bëhet kos. Apo për të çuar prodhimet nga Konispoli deri në Serbi, nga ara në treg, duke i kaluar nëpër dogana. Apo javë për të pritur konfirmimin nga agjencia e vendit tjetër për produktet që ti sjell nga një vend tjetër”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kemi takuar Këshillin e Atlantikut që kanë ardhur enkas nga Uashingtoni në mbështetje jo thjesht të nismës në parim por në mbështetje të kësaj përpjekjeje, duke pritur të njihemi me rezultatet përfundimtare të një studimi të përgjithshëm që do të ekspozohet në Tiranë mbi përfitimet që sjell ‘Ballkani i hapur’ për të 6 vendet”.

“Kemi rënë dakord për një qëndrim të përbashkët adresuar BE-së”. “Duke e kuptuar situatën fare mirë në BE, me bllokimin absurd që i është bërë procesit së Maqedonisë së Veriut dhe duke nënvizuar se ne nuk kemi asnjë lëkundje në rrugën për të ndërtuar në vendet tona standarde të BE-së, kemi bindjen se BE ndërkohë që është e zhytur në dilemat e veta, mund të konsiderojë disa hapa të rëndësishëm për të ardhur më pranë rajonit, duke integruar në rrjetin e mbështetjes fermerët tanë, apo në tregun e përbashkët europian, në segmente të caktuara, vendet tona, si dhe duke e konsideruar Ballkanin Perëndimor si pjesë të vetën kur vjen fjala për të përballuar krizën e energjisë”, shtoi Rama.

Tashmë që sezoni turistik është mbyllur, Kryeministri theksoi se “gjatë 8 muajve të fundit fluksi i turistëve nga Serbia është rritur me 63% dhe e turistëve nga Maqedonia e Verit me 22%”.

“Ky është rezultat i drejtpërdrejt në ekonomi, veç procesit të rritjes së energjive pozitive në rajon. Të gjitha këto shifra do vijnë vetëm duke u rritur. Në dhjetor në Tiranë jemi angazhuar të japim rezultatet konkrete dhe nga janari në kufijtë e vendeve të fillojë një relaksim shumë i ndjeshëm për kompanitë, distributorët e fermerët. Të gjithë fermerët që e kanë të lidhur produktin e tyre me eksportet janë mbështetësit më të mëdhenj të “Ballkanit të hapur”.

 

Fraksion.com