Manastirliu: Të gjitha vaksinat, të certifikuara
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj në Kuvend ka deklaruar se vaksinat që përdoren në Shqipëri janë të gjitha të certifikuara nga autoritet përkatëse.
Në përgjigje të interpelancës së thirrur nga deputeti Tritan Shehu, Manastirliu ka nënvizuar se të gjitha vaksinat janë përdorur në disa vende të botës dhe janë certifikuar nga OBSH.
“Edhe pse me keqardhje kam vënë re tendenca për të keqinformuar, dua ta theksoj fort një të vërtetë, e cila duke qenë e bazuar tek shkenca, tek ekspertet më të mirë, ndërkombëtare dhe shqiptare, nuk mundet të jetë e shtrembërueshme nga askush, as edhe në këtë sallë: të gjitha vaksinat që janë përdorur dhe përdoren në Shqipëri, janë të miratuara nga OBSH dhe nga agjenci të rëndësishme të barnave. Pfizer Biontech është aprovuar në 101 vende të botës, dhe është parakualifikuar nga OBSH; AstraZeneca është aprovuar në 124 vende të botës, dhe është e parakualifikuar nga OBSH; Covishield (AstraZeneca) është e aprovuar në 41 vende të botës, përfshi dhe Kanadanë dhe është e parakualifikuar nga OBSH; Coronavac e Sinovac është e aprovuar në 41 vende të botës, përfshi Kinën, Turqinë, Gjeorgjinë, Maqedoninë e Veriut, etj dhe është e parakualifikuar nga OBSH; Sputnik V – e aprovuar nga 72 vende të botës, përfshirë Hungarinë, Sllovakinë, Serbinë, Malin e zi, Maqedoni e Veriut”, theksoi Manastirliu.
Fraksion.com