AktualitetEkonomiTë fundit

Llogari bankare dhe shërbime pagesash falas për shtresat në nevojë

Llogari pagesash me shërbime bazike do t’iu ofrohen konsumatorëve dhe individëve në nevojë, nga të gjitha bankat tregtare pa pagesë ose me tarifa të përgjysmuara.

Banka e Shqipërisë ka përgatitur projektligjin “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, me qëllim zgjerimin e aksesit në shërbimet bankare të popullsisë, me kusht që ata të mos kenë një llogari bankare ekzistuese.

Sipas projektligjit, këtu përfshihen përfituesit e pagesës së papunësisë, të skemës së ndihmës ekonomike, të pagesës për paaftësi ose për aftësinë e kufizuar, pensionistët urban dhe rural në skemën e sigurimeve shoqërore, përfituesit e ndihmës ekonomike për arsimin e lartë.

Bankat do ofrojnë llogaritë e pagesave me shërbime bazike vetëm në monedhën vendase dhe ajo do të përfshijë shërbime që mundësojnë depozitimin e fondeve në një llogari pagesash; tërheqjen e fondeve nga një llogari pagesash, në sportele ose në ATM, gjatë ose jashtë orarit zyrtar të punës së bankave dhe ekzekutimin e debitimeve direkte, pagesave me kartë dhe transfertat e kreditit brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

“Për të përfituar, individët duhet të paraqesin pranë një banke tregtare kërkesën për hapjen e llogarisë së pagesave me shërbime bazike. Kur banka refuzon hapjen e llogarisë bazike ose konsumatori vlerëson se bankat kanë vepruar në kundërshtim me kërkesat e këtij ligji, konsumatori ka të drejtën e ankimimit në Bankën e Shqipërisë”, thuhet në projektligjin e BSH-së.

 

Fraksion.com