“Kjo luftë nuk bëhet vetëm”; Kim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë: Bashkëpunim në zbatimin e ligjit
Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, zhvilloi sot një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, të cilit i rikonfirmoi se “bashkëpunimi i fortë mes SHBA-së dhe Shqipërisë për çështjet e zbatimit të ligjit mbetet thelbësor”.
Në një prononcim për mediet pas takimit, Kim tha se “SHBA do të vazhdojë të ofrojë sa më shumë mbështetje të jetë e mundur, duke nisur nga trajnimet, pajisjet etj”.
“Gjithashtu diskutuam rëndësinë që Policia e Shtetit të mund të ruajë dhe rrisë besimin e publikut me integritetin e saj. Nano dhe unë jemi mbështetës të fortë të prezencës së Policisë dhe gjithashtu e dimë se policët e shtetit ndërmarrin rreziqe të mëdha, ndonjëherë edhe duke humbur jetën, thjesht për të ruajtur ligjin dhe rendin”, tha ajo.
Kim shtoi se në takim u diskutua mbi rëndësinë që ka fakti se zbatimi i ligjit duhet të ruhet nga çfarëdolloj ndikimi apo influence që vjen nga jashtë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano u shpreh se “takimi u krye në kuadër të bashkëpunimit që Policia e Shtetit ka me të gjitha agjencitë ligjzbatuese të SHBA-së”.
“Siç dihet, SHBA janë partner strategjik dhe kemi mbështetjen kryesore ndaj Policisë së Shtetit për trajnimet, asistencën, logjistikën, konsulencën. Kështu që vlerësoj shumë këtë bashkëpunim dhe mbështetje dhe e sigurova ambasadoren se Policia e Shtetit do të jetë në nivelet më të mira të perfomancës për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kërkova edhe mbështetjen e vazhdueshme që SHBA dhe agjencitë ligjzbatuese mund të japin për Policinë e Shtetit”, tha Nano.
Ai theksoi se “kjo është një luftë që nuk mund të bëhet vetëm”.
“Duke ditur mbështetjen e deritanishme jam shumë i bindur se bashkë do t’ia dalim për të pasur rend dhe siguri në vendin tonë dhe për të mbështetur edhe SHBA-në në mbrojtje të interesave të qeverisë dhe jetës së qytetarëve amerikanë”, tha ai.
Fraksion.com