“Ju jeni zero”; Shehu: Të ndryshohen elementët strategjikë të vaksinimit
Deputeti i PD-së Tritan Shehu deklaroi sot se duhet ndryshuar strategjia e vaksinimit, ndërsa e konsideroi vaksinimin si shumë të rëndësishëm për shqiptarët.
Deputeti i PD-së, Shehu i cili thirri interpelancën me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Orgerta Manastirliu, në fjalën e tij në Kuvend tha se “strategjia e vaksinimit është një nga pjesët më të rëndësishme të strategjisë së përgjithshme të përballjes me COVID-19 për minimizimin e humbjes së jetëve, për minimizimin e shëndetit edhe afatgjatë këto, për minimizimin e pasojave sociale, në uljen e kostos në nivelin parandalues, në minimizimin e dëmit ekonomik të vendit për masat e përgjithshme antikovid. Gjithnjë e më tepër kjo po del në plan të parë e lidhur kjo me kapacitetet, objektivat, sasinë e të vaksinuarve, me ritmet e vaksinimit dhe padyshim me cilësinë e vaksinave të përdorura”.
“Fatkeqësisht vendi ynë në të gjithë këtë periudhë nuk pati asnjëherë një strategji reale të studiuar, transparente për përballjen më këtë epidemi. Tashmë nuk shoh dhe nuk kemi asnjë strategji të qartë, objektiva të përcaktuara, linjë lineare të procesit dhe për vaksinimin e popullsisë. Kemi improvizime e mungesë profesionalizmi”,- tha ai.
“Dikur që nga Kryeministri, Komiteti betoheshit që do përdornit në Shqipëri vetëm vaksina të sigurta, të dedikuar nga EMA, sot po e mbushni vendin me vaksinat kineze të pacertifikuara të pasigurta duke krijuar ndjesinë e dyshimit të vaksinimit i cili përbën një konfuzion të thellë dhe të rrezikshëm për vendin. Ju vazhdoni të bëni vetëm demagogji, dhe na akuzoni ne si pengesë për vaksinimin e shqiptarëve. Ne jemi për vaksinimin, është i domosdoshëm, por askush nuk mund të bëhet garant me vaksinat e pacertifikuara zyrtarisht nga agjencitë ndërkombëtare që janë garancia e vetme”, tha ai
Po ashtu, Shehu tha se “sot jemi në nivelin e vaksinimit me 33% të popullsisë, kur Italia është 85%. Kështu dhe për nivelin e vaksinimit ne jemi në fund të Evropës dhe shuma e mesatares së botës që është 47% me një diferencë e cila po rritet çdo ditë e më tepër në disfavorin tonë. Ne nuk kemi një strategji vaksinimi, kur Shqipëria do të arrijë të vaksinojë 85% të popullsisë?. Çfarë do bëhet me vaksinat e pacertifikuara? Me çfarë vaksine do të vaksinohen të rinjtë? Si do ecet me dozën e tretë, po me moshën e vaksinimit. Ju jeni zero për këto elementë. Prandaj unë them se gjendja po rëndohet dhe ne duhet të marrim masa. Prandaj duhet të ndryshojmë komplet elementët strategjikë”
Fraksion.com