Ballkani i Hapur, Vuçiç: Në dhjetor nënshkruajmë në Tiranë memorandumin për lejet e punës
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi sot se “Ballkani i Hapur” është një nismë e jashtëzakonshme.
Në konferencën e përbashkët në Beograd me kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, Vuçiç tha se kishin pasur një takim mjaft të rëndësishëm me përfaqësues të komunitetit të biznesit të tre vendeve.
“Unë besoj se në samitin e Tiranës, pasi do të kemi një takim pas Krishtlindjeve do jetë 26, 27 apo 28 dhjetor, kjo i takon mikpritësit Edi Rama ta vendosë, do nënshkruajmë në atë memorandumin për lejet e punës që duhet të jetë marrëveshja e vërtetë reale e cila duhet të ketë fuqi ligjore, sepse e vetmja gjë për t’i mbajtur njerëzit në rajon është që ata të kenë mundësi të punojnë kudo në rajon. Në të kundërt, ashtu sikur kemi pasur situata sot, do të kemi më shumë turq, indianë, kurdë kur kemi mundësi të mbajmë njerëzit tanë”, tha Vuçiç.
“Ne, pamë se të gjithë njerëzit nga komunitetet e biznesit janë 100% në favor të këtij projekti, të kësaj nisme dhe shohim gjëra shumë të mira që mund të nxjerrim prej saj. Ajo që është dëshpëruese për të gjithë ne, është fakti se ajo për të cilën ramë dakord është se nuk jemi në gjendje ta zbatojmë plotësisht. Ramë dakord për atë çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen nga diçka që ne besojmë fort se kjo është një nismë shumë e madhe dhe në emër të Serbisë mund të them se Ballkani i Hapur është një nismë shumë e mirë e jashtëzakonshme që bën dallimin”, theksoi ai.
Po ashtu, Vuçiç tha se “kjo nismë nuk u ngrit për shkak të Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç, Zaevit apo Dimitrovit, por u hap për njerëzit që jetojnë në çdo qytet dhe fshat”.
“Ne ramë dakord sot që të ngrinim Këshillin e Zbatimit dhe për përbërjen e saktë të këtij këshilli do biem dakord më vonë. Do të ketë takime me përfaqësuesit e institucioneve doganore, atyre hidrosanitare dhe inspektimeve veterinare për të inspektuar situatën. Me qarkullimin e lirë të mallrave për herë të parë folëm më seriozisht për qarkullimin e lirë të shërbimeve dhe jam shumë mirënjohës ndaj Këshillit Atlantik dhe miqve tanë në emër të SHBA që na ndihmuan me pjesën teknologjike dhe jo vetëm aty, por na sollën njerëz edhe nga Sarajeve edhe nga Prishtina, jo vetëm brenda kuadrit të Ballkanit të Hapur, por ofruan një kontribut të jashtëzakonshëm, në këtë pjesë të takimit për këtë transformim digjital të gjithë rajonit. Puna jonë në periudhën që pason është të shohim se ku aktualisht kemi pasur gjëra që nuk kanë qenë në terren apo përjashtuar në terren”, tha Vuçiç.
“Morëm për shembull pohime nga sipërmarrësit. Ata thonë se kur duam të eksportojmë qumësht në Maqedoninë e Veriut vijnë të premten në mbrëmje dhe presin deri të hënën në mëngjes në kufi dhe kjo thjesht nuk duhet lejuar. Në momentin që duhet të importojmë fruta apo perime nga Maqedonia e Veriut për të pasur vlerë të shtuar në fabrikat serbe dhe ata duhet të presin 24-30 orë në kufijtë tanë edhe pse ne kemi përcaktuar çdo gjë me detaje me Maqedoninë e Veriut. Kjo është arsyeja pse do te kemi nga ana jonë një kontroll të plotë për të gjitha gjërat”, tha ai
Vuçiç theksoi se “ramë dakord edhe për bashkëpunimin e mëtejshëm se realisht duam të bëjmë dallimin, që njerëzit tanë për një vit, një vit e gjysmë të lëvizin pa asnjë lloj kufiri nga Beogradi në Tiranë, Shkup, Nish apo kudo tjetër. Do të jetë e njëjta gjë si nga Nishi në Shkup, apo Nishi në Beograd që askush të mos ndalojë askënd në kufi. Kjo do të forcojë ekonomitë tona, pra në këtë drejtim askush nuk po ndërhyn në gjëra politike në të drejtat e shteteve tona, por thjesht po përpiqemi që qytetarët tanë të jetojnë më mirë dhe sipërmarrja të jetë pakrahasueshmërisht më mirë”.
Dimitrov: Bashkëpunimi rajonal është një zgjedhje e zgjuar
Zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikola Dimitrov në konferencën e përbashkët për mediet në Beograd, deklaroi se nisma “Open Balkan” është me një rëndësi të veçantë dhe kërkon një bashkëpunim më të ngushtë.
“Bashkëpunimi rajonal është një zgjedhje e zgjuar, zgjedhja e duhur dhe zgjedhja europiane. Maqedonia e Veriut, i jep rëndësi bashkëpunimit rajonal dhe nismës së Ballkanit të Hapur dhe kjo tregohet nga fakti që gjendem sot këtu në Beograd. Maqedonia e Veriut gjendet në një situatë komplekse megjithatë kjo nismë është vërtetë e rëndësishme dhe nuk mund t’ia lejojmë vetes që të mungojmë në këto takime mes tre vendeve”, tha ai.
Dimitrov, deklaroi se, “i vetmi vizion afatgjatë për një Ballkan të qëndrueshëm e fitimtar është ai ku kufijtë janë më pak të rëndësishëm, për rrjedhojë zhvillimi i bashkëpunimit rajonal në kuadër të nismës së Ballkanit të Hapur është një nismë e shkëlqyer drejt përmbushjes së këtij misioni evropian për Ballkanin pa kufij”.
“Kjo nismë, vuri në dukje ai, synon të ndërtojë solidaritet duke krijuar një treg të përbashkët rajonal ku do të ketë qarkullim të lirë të mallrave, të njerëzve, të shërbimeve, tranzicioni drejt ekonomisë së gjelbër e po kështu për të ndihmuar njëri-tjetrin për të përballuar katastrofat natyrore”.
Dimitrov tha se, “do të ishte shumë e mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor nëse do të eliminonim barrierat tregtare duke e bërë rajonin më tërheqës për investimet e huaja. Sa më shumë të bashkëpunojmë ne si rajon aq më shumë mund t’i bindim se, jemi një rajon që nuk importon probleme, por krijon zgjidhje. Ne kemi hapur biseda të sinqerta mes bizneseve të tre vendeve. Kemi hartuar një plan specifik për të tejkaluar këto mangësi të integrimit të ngadaltë. Ne kemi dëshmuar vullnet politik për ta bërë këtë dhe ky vullnet politik të shndërrohet në marrëveshje tregtare, por ajo që na mungon, është fokusi tek zbatimi. Në takimin tonë në fund të dhjetorit në Tiranë duam të deklarojmë një sërë fitoresh përfshirë zgjidhje të problemeve që përmenda më parë”.
Ai theksoi se, “sa më shumë fitore të arrijmë së bashku aq më tërheqëse do të bëhet nisma jonë për vende të tjera të rajonit. Gjithë përfshirja është e rëndësishme dhe nisma të mbetet e hapur për të gjitha vendet e rajonit”.
“Në dokumentet e miratuara në këtë takim, jemi shprehur se bashkëpunimi rajonal nuk është alternativë për integrimin europian, por i shërben integrimit europian. Por nuk do të ishte e arsyeshme për ne, që në kushtet kur ideja e integrimit europian minohet dhe ne të rrimë e të mos bëjmë asgjë. Ne si vende duhet të bëjmë përpjekje dhe kjo do të na bëjë më bindës në sytë e BE-së”, u shpreh zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikola Dimitrov.
Fraksion.com