Rama: Nga 1 korriku, zero taksë mbi pagat deri në 40 mijë lekë
Taksa progresive do të mbetet një kolonë themelore e programit edhe në qeverinë “Rama 3” për të garantuar mirëqenie për të gjithë.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se nga data 1 korrik tatimi mbi të ardhurat për pagat deri në 40 mijë lekë do të jetë zero.
“Nga 1 korriku zero taksë mbi pagat deri në 40 mijë lekë”, deklaroi Rama.
Ndryshimet në ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” sigurojnë që qytetarët me më pak të ardhura të paguajnë tatim më të ulët mbi të ardhurat nga paga.
Në mënyrë që të lehtësohet barra tatimore e shtresave më në nevojë të popullsisë, është propozuar që tatimpaguesit me të ardhura personale nga punësimi në intervalin nga 30,001 lekë/muaj deri në 40,000 lekë/muaj tashmë të paguajnë 0 % tatim, nga 13 % tatim që paguanin mbi shumën 30,000 lekë/muaj.
Numri i tatimpaguesve që përfitojnë nga ulja e barrës tatimore është rreth 71,500 dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 7800 lekë për tatimpagues/vit, ose rreth 557 milionë lekë/vit për të gjithë tatimpaguesit.
Tatimi 23 % parashikohet të fillojë të aplikohet në pagat mbi 200,000 lekë/muaj, nga 150,000 lekë/muaj që është aktualisht.
Gjithashtu, në të njëjtën linjë, për lehtësimin e barrës tatimore të shtresave në nevojë të popullsisë, me anë të këtij projektligji propozohet që tatimpaguesit me të ardhura nga paga nga 40,001 lekë/muaj deri në 50,000 lekë/muaj, të vijojnë të paguajnë 0 % tatim deri në shumën 30,000 lekë/muaj të ardhura nga paga, dhe ndryshe nga regjimi i mëparshëm, mbi shumën 30,000 lekë/muaj të paguajnë gjysmën e normës tatimore prej 13 %, pra 6.5 %.
Numri i tatimpaguesve që përfitojnë nga kjo lehtësi tatimore është rreth 58 000 dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 11,700 lekë për tatimpagues/vit, ose në total 678 000 000 lekë/vit për të gjithë tatimpaguesit. Në kuadër të lehtësimit të shtresës së mesme të popullsisë, në këtë projektligj është parashikuar ndryshimi i fashës së sipërme të taksimit progresiv.
Tatimi 23 % parashikohet të fillojë të aplikohet në pagat mbi 200,000 lekë/muaj, nga 150,000 lekë/muaj që është aktualisht. Numri i tatimpaguesve që përfitojnë nga kjo lehtësi tatimore është rreth 5900 dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 23,000 lekë për tatimpagues/vit ose në total 135 000 000 lekë për të gjithë tatimpaguesit.
Në total, barra tatimore ulet me 1.37 miliardë lekë në vit për subjektet që përfitojnë nga ndryshimet e propozuara në këtë projektligj, e cila nga ana tjetër përkthehet në të ardhura të munguara për shtetin në po të njëjtën shumë.
Fraksion.com