Bankat dhanë rreth 15 miliardë lekë kredi për biznesin
Kreditimi i biznesit vijon trendin në rritje të qëndrueshme.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, sistemi bankar dha 14.65 miliardë lekë kredi të re për biznesin (për të gjitha valutat) në muajin shtator të këtij viti, kundrejt 14.1 miliardë lekë kredi që u dhanë në muajin gusht të këtij viti.
Krahasuar me shtatorin e një viti më parë, rritja është e lehtë, ndërkohë që rezulton të jetë më e larta që prej shtatorit 2017.
Në fund të muajit shtator, kredia për biznese dominohet nga kredia në valutë me 57 %. Megjithatë, krahasuar me një vit më parë, ky nivel është 1.8 % më i ulët, duke reflektuar zhvendosjen e portofolit drejt monedhës vendase, në përgjigje të kushteve financiare të favorshme, të cilat u lehtësuan më tej me fillimin e pandemisë.
Kreditimi mbështet kryesisht zgjerimin e investimeve të biznesit, në sektor të ndryshëm të ekonomisë por një pjesë tjetër shkon edhe për mbulimin e nevojave për likuiditet të sipërmarrjeve.
Fraksion.com