AktualitetTë fundit

“Arrestohen për ‘spiunazh’ dy shqiptarë “; Fotografuan dhe i bënë video kampit ushtarak në Atikë. Dëshmia e të rinjve: Kishim humbur rrugën

Dy shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë greke, pasi akuzohen se kanë fotografuar dhe bërë video objekteve të kampit në malin Egaleo në Atikë. Lajmi është bërë i ditur nga protothema.gr.

Gjithçka ka ndodhur pasditen e 28 tetorit. Dy shqiptarët hynë në kampin e artilerisë “Major Stefanakis” në malin Egaleo dhe më pas bënë video dhe foto të instalimeve ushtarake. Një toger në detyrë pasdite i pa dhe u kërkoi të ndalonin. Njëkohësisht ai ka njoftuar menjëherë Policinë, e cila ka dalë me shpejtësi në vendngjarje dhe ka vënë në pranga dy personat.

“Kjo është e vërtetë. Ne po përpiqeshim të gjenim një rrugëdalje. Menduam se ishte një vend që ishte braktisur sepse telat kishin rënë. Kemi kërkuar ndihmë edhe nga një ushtar. Fotot ia treguam policisë. Kemi humbur dhe nuk kemi ditur të largohemi nga vendi i ngjarjes”, ka thënë sipas informacioneve njëri nga dy të pandehurit. “Ne jemi nisur nga Kopshti Botanik në Haidar bashkë me katër persona të tjerë dhe në një moment kemi humbur”, -tha ai në dëshminë e tij.

Avokatët mbrojtës të dy të pandehurve, Mariolis Panagiotis dhe Nakou Theano, theksuan se ishte “një shëtitje e rastësishme në një vend ku nuk ka rrethim apo shënjim të hapësirës ushtarake” që “rezultoi në arrestimin e dy të rinjve dhe i solli ata të përballen me një aktakuzë të rëndë. Mezi presim lirimin e tyre sapo të dalin në dritë faktet vendimtare të ditës së arrestimit të tyre”. Media greke, shkruan se bëhet fjalë për një rast të ri spiunazhi nga ana e shqiptarëve që fotografuan kampin në Atikë.

 

Fraksion.com