Vizitë në kohë joharmonike; Zdravko Krivokapiq në Serbi
Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq qëndron për dy ditë në vizitë zyrtare në Serbi (02-03.11) me ftesë të kryeministres serbe, Ana Brnabiq.
Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq qëndron më 2 dhe 3 nëntor për një vizitë zyrtare në Serbi me ftesë të kryeministres serbe, Ana Brnabiq. Ai pritet të takohet edhe me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarë të tjerë serbë. Krahas kryeministrit Krivokapiq delegacioni që do të vizitojë Serbinë përbëhet edhe nga këshilltarët e tij si dhe nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Malit të Zi në Serbi. Në njoftimin për shtyp thuhet, se vizita në Beograd do t’i shërbejë forcimit të marrëdhenieve bilaterale, avancimit të dialogut politik dhe bashkëpunimit të përgjithshëm. “Vizita paraqet mundësi që të theksohet rëndësia e stabilitetit dhe e sigurisë në rajon si dhe forcimi i integrimit përmes mekanizmave të Procesit të Berlinit, me të cilat forcohet perspektiva e Ballkanit Perëndimor.”
Sfidat prej pandemisë Covid-19
Në kushtet e krijuara nga kriza e shkaktuar nga pandemia Covid-19 kjo vizitë konsiderohet si një rast i mirë për të zhvilluar bisedime për tejkalimin e sfidave shëndetësore, ekonomike dhe të tjera, të shkaktuara nga pandemia, me të cilat ballafaqohen të dy shtetet.
Përkrahje për fazën e re të bisedimeve Beograd-Prishtinë
Në njoftimin për shtyp thuhet, se gjatë vizitës delegacioni nga Mali i Zi synon t‘i japë përkrahje qeverisë së Serbisë për fazën e re të bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në pritje që ato të intensifikohen dhe të rezultojnë me zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.
Brnabiq gjatë vizitës në Serbi me rastin e dorëzimit të vaksinave pritet nga kryeministri malazez, Krivokapiq, 17 shkurt 2021
Po ashtu është planifikuar që delegacioni malazez të takohet me zyrtarët më të lartë të Serbisë, e theks i veçantë do t’i kushtohet forcimit të lidhjeve ekonomike dhe bashkëpunimit për të cilin ekziston një potencial i madh. “Në këtë drejtim rëndësi do t’u kushtohet projekteve, të cilat kanë për qëllim avancimin e strukturës rrugore, që është kusht kryesor si për rritjen e qarkullimit të njerëzve ashtu edhe për bashkëpunimin e përgjithshëm ekonomik dhe atë në fushën e turizmit”, thuhet në njoftimin për shtyp. Pala malazeze pritet t’u propozojë zyrtarëve të Serbisë që në të ardhmen bashkëpunimi në fushën e infrastrukturës, energjetikës, ekonomisë së ujërave, turizmit, bujqësisë dhe degëve të tjera me interes të përbashkët, të realizohet çdoherë kur është e mundur përmes mekanizmave të bashkëpunimit rajonal, si Procesi i Berlinit.
Marrëdhënie jo harmonike
Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Malit të Zi dhe Serbisë ka kohë që janë tensionuar, sidomos pas trazirave me rastin e shugurimit të Mitropolitit të Kishës Serbe Ortodokse, Joanikije. Serbia jo rrallë herë është cilësuar si shtet, që në mënyrë aktive dhe hapur është përzier në çështjet e brendshme të Malit të Zi, siç qe dhe rasti në procesin zgjedhor në verën e vitit 2020 kur nga pushteti u hoq Partia Demokratike e Socialistëve e Presidentit Gjukanoviq. Po ashtu thuhet se një pjesë e udhëheqjes serbe respektivisht funksionarë të ndryshëm të saj promovojnë ideologjinë e ashtuquajturës “botë serbe” ku bëhen tentativa që Mali i Zi të vihet nën kontrollin e Serbisë. Në këtë drejtim sipas pohimeve të një pjese të opinionit, ata kanë përkrahjen e Kishës Ortodokse Serbe. /DW
Fraksion.com