Rruga e Arbrit, hapet për qarkullim më 29 nëntor
Rruga e Arbrit, një ndër projektet më të mëdha infrastrukturore në vendin tonë, do të hapet në 29 nëntor.
Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje këtë vepër inxhinierike komplekse, duke publikuar edhe një pamje nga lart të gjurmës gjarpëruese të rrugës.
“Mirëmëngjes dhe me këtë pamje të veçantë nga rruga e Arbrit që më datë 29 do të hapet për qarkullimin e automjeteve, ju uroj një ditë mbarë”, tha Rama.
Rruga e Arbrit ka 7 tunele me gjatësi totale 8.5 km. Me një gjatësi rreth 74 km, ajo do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim.
Ky investim i strategjik, jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe turizmit.
Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.
Gjithashtu, ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.
Fraksion.com