AktualitetKosovaTë fundit

Raportimet se rusi i shpallur non-grata është në Prishtinë, reagojnë nga Presidenca

Shefi i Stafit në Presidencë, Blerim Vela, ka reaguar pas raportimeve se një person që është shpallur non grata është parë në Kosovë.

Përmes një postimi në Twitter, Vela ka thënë se personi për të cilin po raportohet është vozitësi i Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Kosovë dhe jo Denis Vengerskii.

Sipas tij, zyrtarët e Zyrës Ndërlidhëse Ruse e kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës brenda 24 orëve pasi janë shpallur persona “non grata”.

“Dezinformate: personi ne foto eshte vozitesi i Zyres Nderlidhese Ruse ne Kosove dhe jo Denis Vengerskii. Zyrtaret e Zyres Nderlidhese Ruse e kane leshuar territorin e Republikes se Kosoves brenda 24 oreve nga shpallja persona non grata”, ka shkruar Vela.

 

Për këto raportime ka reaguar edhe Policia e Kosovës. Ky institucion i ka quajtur të pavërteta raportimet, shkruan Express.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Policia ka thënë se dy shtetasit rus, Alexey Krivosheev dhe Denis Vengerski, janë shpallur “non grata” dhe se janë larguar nga Kosova më 23 tetor dhe që nga ajo ditë s’janë kthyer më në Kosovë.

Për personin, fotoja e të cilit është publikuar, thonë se është person tjetër, i njohur për institucionet e sigurisë në Kosovë, si punonjës në zyrën ruse në Kosovë.

“Dy personat Alexey Krivosheev dhe Denis Vengerskii shtetas rus, janë shpallur non-grata nga institucionet shtetërore të Kosovës me datë 22.10.2021, dhe bazuar në informacionet zyrtare të Policisë së Kosovës të evidentuara në sistemin kufitar, të njëjtit me datë 23.10.2021 (në ora 14:46 dhe 14:50), përmes pikës kufitare në Merdare kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës.

Vlen të potencohet se të njëjtit, nga data 23.10.2021, nuk kanë hyrë në Republikën e Kosovës, ndërsa personi i cili është publikuar dhe shfaqur në media përmes fotografive dhe videos, është person tjetër (V.L.) i njohur për institucionet e sigurisë në Kosovë, si punonjës në zyrën ruse në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, Top Chanel ka raportuar dje se rusi i shpallur “non-grata”, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga Presidenca është parë në qendër të Prishtinës, vetëm 200 metra larg Qeverisë dhe Presidencës