Kina nuk merr angazhime të reja për klimën, por u bën thirrje për veprim vendeve të tjera
Presidenti kinez Xi Jinping u bëri thirrje vendeve të tjera “të rrisin bashkëpunimin” dhe të ndërmarrin hapa për të arritur objektivat për klimën. Megjithatë, ai nuk ofroi angazhime të reja në deklaratën e paraqitur në Konferencën e OKB-së për Ndryshimin Klimatik (COP26) që po zhvillohet në Glasgou të Skocisë.
“Vizionet do të realizohen vetëm kur të ndërmarrim veprime. Palët duhet të përmbushin angazhimet e tyre, të vendosin objektiva dhe vizione realiste, si dhe të bëjnë më të mirën e mundshme bazuar në kushtet e vendit të tyre për të dhënë rezultate në marrjen e masave për klimën”, tha zoti Xi, i cili nuk po merr pjesë personalisht në bisedime. Kina është vendi që çliron më shumë gaz karbonik në botë.
Kina po përballet me mungesa energjie, që shkaktuan ndërprerje masive për mbi dy të tretat e vendit në fund të muajit shtator. Kjo ishte një nga krizat më të rënda energjitike të Kinës për një dekadë. Ndërprerjet ndikuan tek fabrikat, duke krijuar edhe shqetësime për ndërprerje në zinxhirin e furnizimit të tregut botëror. Ndërkaq, Kina tha se ka shtuar prodhimin e qymyrgurit, një burim fosil i energjisë, me qëllimin për të lehtësuar krizën e energjisë.
Analistët thonë se deklarata e shumëpritur e udhëheqësit kinez tregon se Kina nuk mundet të braktisë burimet fosile të energjisë pa siguruar infrastrukturën e duhur.
Shtëpive mund t’u mungojë ngrohja, ndërsa industria e prodhimit mund të dëmtohet për shkak të krizës energjitike, thotë Jane Nakano, studiuese në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, në Shtetet e Bashkuara.
“Jam paksa e zhgënjyer që Presidenti Xi Jinping nuk iu përgjigj disa prej pyetjeve kryesore në mendjet e shumë prej nesh”, tha zonja Nakano. “Nuk e di nëse kriza energjitike me të cilën po përballet Kina për momentin, mund ta ketë penguar udhëheqjen kineze për të marrë ndonjë angazhim më të gjerë”.
Sipas të dhënave të Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë, me seli në Paris, ndërsa shumica e ekonomive të botës patën në vitin 2020 një ulje të nivelit të dioksidit të karbonit, nga 5 – 10 %, Kina u dallua si e vetmja ekonomi kryesore që regjistroi një rritje. Një studim i zhvilluar nga Rhodium Group tregoi se mbi 27% e ndotjes globale në vitin 2019 erdhi nga Kina.
Fraksion.com