Balla: SPAK të hetojë privatizimin e rafinerisë së Ballshit
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i pyetur për situatën në rafinerinë e Ballshit dhe për fatin e naftëtarëve, tha se drejtësia është ende në kohë të hetojë.
“Unë besoj se biem të gjithë dakord me faktin se i takon një meritë e veçantë kësaj mazhorance që pas 30 vitesh është shumica e parë qeverisëse në vend, që ka miratuar statusin e naftëtarëve. Përmes së cilit kemi ngritur të gjithë mekanizmat e veçantë të atij profili punonjësish të cilët gjithmonë kanë pasur një punë të vështirë, por që për arsye të ndryshme nuk kanë marrë atë që meriton, qoftë në trajtimin përmes skemës së pensioneve apo trajtimeve të veçanta”, tha Balla.
Në lidhje me rafinerinë e Ballshit, ai u shpreh se “e gjithë bashkia e Ballshit është e lidhur me sektorin e naftës dhe rafinerinë e Ballshit, më e madhja në vend para disa viteve, deri në momentin kur ndodhi privatizimi, ku të gjithë e dimë si i ka vajtuar fati i privatizimit të kësaj rafinerie. Dua të them që drejtësia është ende në kohë për të hetuar të gjithë maskaradën e ndodhur me rafinerinë e Ballshit”.
“Unë kam qenë një nga deputetët e opozitës në atë kohë, që kam denoncuar të gjithë procedurat nga qeveria e asaj kohe për mënyrën e privatizimit. Ende sot nuk dihet nëse shtetit shqiptar i ka përfituar paratë e deklaruara nga ai proces privatizimi dhe unë vazhdo të shpreh dyshimet e mia që në atë proces privatizimi jo vetëm shteti shqiptar por edhe punonjësit e rafinerisë dhe qyteti i Ballshit është pala e dëmtuar. Por me drejtësinë e re që po lind mbi gërmadhat e drejtësisë së vjetër, pra me SPAK-un jemi ende në kohë për të hetuar sesi u shkatërrua një prej rafinerive më të mira në Ballkan, sikurse ishte rafineria e Ballshit dhe në këtë këndvështrim, unë apeloj tek SPAK që të hetohet e gjithë procedura e privatizimit të asaj rafinerie”, deklaroi Balla.
Lidhur me trajtimin e punonjësve të rafinerisë ai tha se, “Qeveria Rama është qeveria e parë që ka marrë përsipër punonjësit e një sipërmarrje private me paga kalimtare”.
“Me punonjësit kemi bërë kontrata para disa muajsh dhe është respektuar nga ana e qeverisë për pagesat kalimtare dhe do të vijojmë të kemi interes të veçantë për këtë çështje, qoftë me atë që kryeministri ka deklaruar në mundësinë e gjetjes së një investitori për ta sjellë sërish në punë rafinerinë, ku qeveria ka në fokus krijimin e incentivave për thithjen e investitorëve të huaj në këtë rafineri”, u shpreh ai.
Balla vuri në dukje se, përmes dialogut dhe bashkëpunim do të gjejmë zgjidhjet e duhura.
Fraksion.com