Rusia regjistroi në shtator mbi 44,000 viktima nga koronavirusi
Së paku 44,265 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi dhe shkaqe që lidhen me të, gjatë muajit shtator në Rusi, bëri të ditur agjencia e statistikave në këtë vend, Rosstat.
Shifra e publikuar të premten e çon në rreth 462,000 numrin e viktimave nga koronavirusi në Rusi, që nga fillimi i pandemisë, pranverën e vitit të kaluar.
Ky numër i të vdekurve është më i larti në Evropë.
Gjatë ditës së premte, task-forca ruse për koronavirusin tha se numri i përgjithshëm i viktimave është 236,220.
Kritikët i akuzojnë autoritetet ruse për minimizimin e numrit të viktimave.
Mospërputhja mund të shpjegohet me faktin se task-forca numëron viktimat ku koronavirusi konstatohet si shkak kryesor i vdekjes, pas ekzaminimit mjekësor.
Rosstat publikon shifra duke marrë për bazë edhe shkaqet që lidhen me virusin.
Në përpjekje për të frenuar pandeminë, Moska është futur të enjten në izolim të pjesshëm.
Vetëm dyqanet me shërbime esenciale, të tilla si ushqimoret dhe farmacitë, lejohen të punojnë.
Nga fundjava, ndërkaq, në Rusi do të nisë java mbarëkombëtare e mospunës.
Fraksion.com