AktualitetBota+Të fundit

Monitorimi me makinë inteligjente, 334 drejtues mjetesh në shkelje

Policia Rrugore vijon monitorimin e qarkullimit me makinën inteligjente në rrugët interurbane Tiranë-Durrës-Tiranë dhe Tiranë-Elbasan-Tiranë.

Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore gjatë fundjavës, Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore ka shtuar orët e monitorimit të qarkullimit të automjeteve, duke përdorur makinën inteligjente, me intervale të shkurtra kohore në të gjitha rrugët e kryeqytetit dhe në rrugët interurbane Tiranë-Durrës-Tiranë dhe Tiranë-Elbasan-Tiranë.

“Gjatë ditës së sotme, deri në orën 22:30 janë evidentuar 334 drejtues mjetesh në shkelje, nga makina inteligjente, në rrugët e brendshme të kryeqytetit, në Unazën e Re dhe në rrugët interurbane që lidhen me Tiranën. 54 drejtues mjetesh me leje drejtimi të pezulluara, nga të cilët: 39 drejtues mjetesh janë evidentuar me shpejtësi deri në trefish mbi normën e lejuar në rrugët e brendshme të kryeqytetit dhe 15 të tjerë me shpejtësi mbi 30 km/h deri në 60 km/h më shumë se tabela e lejuar, në Unazën e Re dhe në rrugët interurbane”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, Policia njofton se, nga verifikimi ka rezultuar se 86 drejtues mjetesh, krahas shpejtësisë, ishin duke përdorur edhe celularin gjatë drejtimit të mjetit, ndërsa 44 drejtues të tjerë, krahas shpejtësisë, janë evidentuar edhe pa rrip sigurimi.

“Ndërkohë, të gjitha rrugët nacionale dhe urbane në të gjithë vendin po monitorohen me patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore, duke përdorur radarë, dragera, dronë, makina të paloguara, kamera e aparate fotografike”, thuhet në njoftim.

 

Fraksion.com