Lagjet e luksit shiten në tekstet shkollore si fshatrat ku jetojnë shqiptarët, ministrja e Arsimit mbledhje urgjente
Ministria e Arsimit reagon pas shqetësimeve të ngritura pasi u denoncuan tekste ku flitet për fshatra duke ilustruar me lagje luksi të Tiranës.
Në librin e historisë së klasës së katërt ka një pasazh që flet për fshatin. “Fshati është vërtet i bukur dhe atje jetohet mirë”, thuhet në tekst mes të tjerash, ndërsa si shembull i fshatit me foto paraqitet lagjja luksoze rezidenciale “Rolling Hills”.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi kërkoi në një takim urgjent, “të garantojmë standarde të larta dhe cilësi në të gjitha aspektet e procesit mësimor”.
“Nisur nga shqetësimet e ngritura së fundmi në lidhje me ndonjë pasaktësi apo pasqyrim jo të përshtatshëm të realitetit në tekstet tona mësimore, zhvilluam në MAS një takim me drejtuesit kryesorë të rrjeteve profesionale, të cilët u angazhuan që së bashku me stafet e specializuara të rishikojnë në detaje të gjitha tekstet në arsimin tonë parauniversitar”, thotë Kushi.
Ndër të tjera, Ministrja Kushi thotë se në fokus të takimit kanë qenë gjithashtu zhvillimi profesional i mësuesve, trajnimet e tyre të vazhdueshme, shkëmbimi i përvojave pozitive, si dhe informimi në kohë për risitë në fushën e mësimdhënies.
Gjithçka nisi pasi deputeti socialist, ish zëvendëskryeministri Erion Branko denoncoi në media se në librin e historisë për 10 vjeçarët po mësohet se fshati është një lagje vilash luksoze.
Brace tha: “Fshati është i lirë, pa mur të lartë e të fortë që e rrethon cep e më cep; Fshati nuk ka frikë, roje, kamera vëzhguese, makina Bentley, Mercedez G, Maybach, Maserati, Porche, Rover, etj;
Fshati ka traktorë, zetorë, autokombajna, karroca. Fshatin e zakonshëm e ruan bashkëjetesa, prej saj askush në fshat nuk vjedh komshiun, as në punë e as në lagje;” shkruan Braçe.
Fraksion.com