AktualitetKosovaTë fundit

Kryeministri Kurti pret në takim ministrin saudit të Çështjeve Fetare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin e Çështjeve Fetare të Arabisë Saudite, Abdul-Latif bin Abdul-Aziz Al Sheikh, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti e falënderoi ministrin Abdul-Aziz Al Sheikh për vizitën dhe për ndihmën e Arabisë Saudite për Kosovën. Ai e vlerësoi sidomos angazhimin dhe përkrahjen me votë në të gjitha organizatat ndërkombëtare ku Kosova ka synuar anëtarësimin.

Si shtet me ndikim, kryeministri tha se do të mirëpriste lobimin e Arabisë Saudite për njohjen e Kosovës nga disa vende me shumicë muslimane.

Kurti shprehu gatishmërinë për vazhdimin e marrëdhënieve të mira mes dy shteteve dhe theksoi nevojën për investime. Si fusha ku Arabia Saudite do të mund të investonte përmendi bankat dhe financat, shëndetësinë, turizmin, si dhe tregtinë.

Ministri saudit e falënderoi kryeministrin Kurti për mikpritjen dhe u shpreh i gëzuar për “stabilitetin politik, të arriturat dhe paqen e prosperitetin që ka vërejtur në Kosovë”.

Ai tha se Kosova dhe populli i saj gëzon përkrahje dhe simpati të madhe nga shteti dhe populli saudit.

“Mbështetja dhe bashkëpunimi nuk do të mungojë as në të ardhmen”, tha Abdul-Aziz Al Sheikh.

Duke folur për ekstremizmin fetar, ministri saudit tha se keqpërdorimi i fesë për luftëra politike e klasore nga grupet terroriste i ka shkaktuar shumë vuajtje vendit të tij dhe shumë shteteve në botë.

Ai theksoi domosdoshmërinë e çrrënjosjes së ekstremizmit fetar dhe promovimin e islamit të moderuar që ka në thelb harmoninë dhe mirëkuptimin mes njerëzve. Ministri saudit u shpreh i gëzuar që në Kosovë mbretëron paqja dhe toleranca fetare.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, të cilin ministri saudit zyrtarisht e vizitoi dje.

 

Fraksion.com