AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Kuvendi Kombëtar mblidhet më 11 dhjetor

Ish-kryeministri Sali Berisha në takimin e tij zhvilluar në Lezhë, ka bërë thirrje se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike do të mbahet më 11 dhjetor.

“Nga Lezha kam kënaqësinë të informoj demokratët se më 11 dhjetor do mbahet Kuvendi Kombëtar i PD-së. Rroftë Lezha, rroftë PD,”tha Berisha.

Ndonëse Berisha deklaroi datën e Kuvendit Kombëtar, i takon strukturave të PD-së që të marrin këtë vendim. Kujtojmë se Berisha ka lënë të hapur mundësinë se do të kandidojë për kryetar të Partisë Demokratike.

Gjatë fjalës së tij Berisha deklaroi se nëse vendimi për përjashtimin e tij do të shpallej nga Këshilli Kombëtar do ta kishte pranuar, por theksoi se kreu i PD-së Lulzim Basha u tregua besëprerë dhe se vendimin e mori pa pyetur asnjë njeri.

Ish-kryeministri theksoi se kjo forcë politike do të shndërrohet në shtëpinë e lirisë, duke shtuar se tani do të ketë ndryshime rrënjësore në statut.

Ai gjithashtu theksoi se do të kthehet referendumi.

“A duhen bërë publik data e Vettingut?  Patjetër që po. Shkoni dhe gjeni Vettingun e Ervin Pipës, nuk ka njeri që mund ta gjejë…Kujtojmë që na doli se Sadushi i partisë kishte shitur një apartament në Golem dhe ai që e kishte blerë nuk justifikonte  paratë që kishte blerë. Ç’donjeri ka dalë nga Vettingu, ndërsa Sadushi mbahet …  Ky është Sadushi i partisë i cili duhet të ishte bankën e të akuzuarve, por e mbajnë sepse e ka Edi Rama peng. Para dy muajsh i kam thënë Bashës se duhet denoncuar…A është konflikti i interesit një nga mekanizmat kryesor të korrupsionit? Padiskutim që po. Ardjan Dvorani përveçse kishte fshehur 82 mijë euro…i harrova tha ky Dvorani i partisë, i blenë edhe një apartament kur ishte anëtar bordi. Këtë e servirin si kampion të luftës së korrupsionit, por unë u them të studiojnë mirë shëmbëlltyrën psikologjike të shqiptarëve.

Shqiptarët nuk ia kanë pranuar barin as Enver Hoxhës dhe nuk ia pranojnë kurrkujt. Mos të mendojnë se gënjeshtrat mund t’i shesin për të vërteta. Kur të kujtojë Basha Lezhën, i kujtoj që të rrijë pa gjumë, për besëprerjen e tij. Nëse atë vendim do ta merrte duke mbledhur Këshillin Kombëtar, duke votuar aty, unë do të pranoja çdo vendim të kësaj strukture, por vendimin e mori pa pyetur njeri. Pse e mori? Sepse ata që e mbajnë peng nuk duan që të merret vendimi juaj se e dinë se ju jeni njerëz të lirë. Ju nuk shiteni dhe blini siç ndodhi me të. Ai nuk guxoi që t’ia çoj Këshillit Kombëtar. Foltorja nuk është kundër miqve tanë. Mos dëgjoni ata që janë bërë si…që mot të përdor një epitet.

Berisha bashkë me ju, jo vetëm që do të ngrenë PD dhe do ta çojë në fitore, por u them bajatorëve  të mjerimit se Berisha dhe kjo parti do të vendosin marrëdhënie më të mira me BE dhe SHBA. Peng kryetari dhe ndonjë zëdhënës mjeran i tij që duhet të na etiketojë ne si takime antiamerikane, janë qesharak dhe më qesharak se çdo personazh në tërësi. Amerika është e vlerave të mëdha, e votës së lirë, sovranitetit, të kombeve dhe vendeve. Para se të ecim drejt fitores së pari duhet të ngremë nga themelet PD.

Duhet të bashkohemi më fortë se kurrë, nga themeluesit e PD dhe te anëtarët e rinj, me zotimin solemn se ne që na rrëmbyen votën do të votojmë me këmbët dhe duart tona, do të votojmë me protestat tona. Rroftë protesta! Të ngrihemi ne si viganë duhet të vendosim liri, normat më demokratike, duhet të bëjmë PD, shtëpinë e lirisë. Pse peng-Basha e mori vendimin për përjashtimin pa pyetur juve, apo siç bëri për Nokën apo Luan Baçin. Sepse ai nuk ka lidhje me statutin më, as me forumet, as me ju. Ai faktikisht ka lidhje vetëm me pengmarrësin e tij.

Ju e keni mbështetur dhe unë po ashtu, ju kërkoj një mijë herë të falur për mbështetjen që i kam dhënë.  Pra, ne do bëjmë ndryshime të thella statutore, i cili do të përcaktojë që kryetari i cili dhunon nenet e tij, forumet e partisë dhe vullnetin tuaj, është i shkarkuar me ligj, pa vota, automatikisht. Në statutin e PD do të sanksionohet shenjtëria e votës tuaj, ju do të vendosni vetë për deputetët tuaj”,tha ai.

 

Fraksion.com