Helmimi masiv në Krujë, Rama: Të bësh investimin dhe të sigurosh që uji është në parametrat e duhura janë dy gjëra të ndryshme
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se është gati të ulet në tryezë me Partinë Demokratike për të biseduar për vetingun e politikanëve.
“Nuk kam opinion për këtë për faktin e thjeshtë sepse serioziteti mbi parimin që jemi gati të diskutojmë çdo gjë, fillon nga këtu. Nëse që në fillim ne themi fjalën e fundit në TV, nuk ka dialog. Do ulemi në tryezë. Unë me të dëgjuar i kam këto, nuk kam lexuar asgjë drejtpërdrejtë. Do ulemi në tryezë, do japim të gjithë disponimin për të dëgjuar, do dëgjojmë, do themi ato që mendojmë, do marrim mendimet e ekspertëve tanë të fushës dhe do arrijmë në konkluzione në mënyrë sa më civile”, u shpreh Kryeministri Rama në një prononcim për mediet pas mbledhjes me krerët e degëve të PS, në selinë rozë.
Rama tha se cilësia e demokracisë, e bashkëjetesës në një vend, nuk varet nga sa shpesh biem dakord, por nga mënyra se si nuk biem dakord.
“Seriozitet mbi parimin se jemi gati të diskutojmë çdo gjë, fillon nga këtu. Nëse që në fillim ne themi fjalën e fundit në dialog, atëherë s’ka tryezë. Do të ulemi në tryezë, do të japim gjithë disponimin për të dëgjuar, do dëgjojmë, do themi ato që mendojmë, do marrim mendimet e ekspertëve tanë të fushës dhe do arrijmë në konkluzione në mënyrë sa më civile. E kam thënë që cilësia e demokracisë, e bashkëjetesës në një vend, nuk varet nga sa shpesh biem dakord, por nga mënyra se si nuk biem dakord. Mund të mos biesh dakord duke gjuajtur me gurë, por edhe duke argumentuar normalisht. Ne duam këtë të dytën”, deklaroi Kryeministri Rama.
Rama u pyet edhe lidhur me propozimin e PD-së për ngritjen e një komisioni hetimor për mbetjet.
“Nesër unë do të votoj, siç është marrë vendimi. Nuk kam dëgjuar që ka ndonjë votë kundër, kështu që besoj se do të votohet. Mosdakordësitë mes palëve janë normale, diskutohen, çfarë mund të realizohet, realizohet”, tha ai.
Lidhur me situatën në Krujë, ku u raportuan raste qytetarësh me shenja helmimi, kryeministri Rama tha se çështja është në hetim administrativ. “Qeveria ka bërë investimin për ndërtimin e ujësjellësit. Ujësjellësi vetë ka detyrimin që uji të jetë në të gjitha parametrat. Çështja është në hetim administrativ për të kuptuar çfarë ka ndodhur”, deklaroi Rama.
Kryeministri foli edhe për ftesën e komisionit hetimor të zgjedhjeve të 25 prillit, i ngritur me kërkesë të PD-së për të dëshmuar. Rama tha se ishte në dispozicion.
“Nuk kam asnjë problem. Unë nuk kam pasur ndonjë ftesë, por jam patjetër në dispozicion. Nuk kam asnjë problem për të gjitha gjërat që do më kërkohet për të thënë atë që unë kam për të thënë. Ai është një Komision që është ngritur me kërkesë të opozitës. E dimë shumë mirë si kanë rrjedhur ngjarjet. Nuk ka, jo vetëm qytetarë të angazhuar në zgjedhje në krahun tonë apo të angazhuar në zgjedhje si një votues i lirë pa qenë i lidhur drejtpërdrejtë me një parti, por nuk ka as mes demokratëve e kjo del çdo ditë e më qartë, dyshimin se Partia Demokratike ka humbur zgjedhjet. Këto historitë me masakra dhe me përralla të tjera janë propagandë që është puna e tyre”, tha Rama.
Kryeministri Rama u pyet edhe në lidhje me zhvillimet në PD.
“Nuk kam asnjë koment lidhur me çfarë ndodh në fushën e Partisë Demokratike, por di të them që nëse do ishin mbledhur humoristët dhe satiristët e gjithë këtij vendi të shkruanin një pjesë me shumë seri për sesi Partia Demokratike mund të katandiset në një objekt realisht keqardhjeje, por edhe humori të zi, është ajo që po ndodh sot me Partinë Demokratike”, u shpreh ai.