AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Projektbuxheti 2022; Ibrahimaj: Rritje në të gjithë sektorët do përkthehet në punësim

Projektbuxheti i vitit 2022 synon konsolidimin e rimëkëmbjes ekonomike të vendit pas dy fatkeqësive natyrore, si tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia e shkaktuar nga COVID-19.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj e prezantoi sot këtë p/buxhet në konferencën e kryetarëve, çka i hap rrugën nisjes së diskutimeve në parim të këtij drafti në komisionet parlamentare.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se rritja ekonomike në vitin 2022 parashikohet rreth 4.1 %.

“Pas recesionit të fortë në vitin 2020, aktualisht i parashikuar në -4 %, ekonomia pritet të rikuperohet ndjeshëm në vitin 2021. Vlerësimet më të fundit për rritjen ekonomike gjatë vitit 2021 kapin vlerën e 7.6%, duke vijuar këtë trend pozitiv dhe në periudhën afatmesme 2022-2024 me një mesatare prej 4 % në vit.Rritja ekonomike për vitin 2022 parashikohet në nivelin 4.1 % e shoqëruar”, tha ajo.

Në vitin 2022, sipas Ibrahimaj, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 536.8 miliard lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 500.2 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 360.5 miliardë lekë.

Ibrahimaj deklaroi se investimet publike llogariten në nivelin 6.4 % e PBB-së ose 111 miliardë lekë duke përfshirë këtu edhe fondin për rindërtimin prej 20 miliardë lekësh.

“Totali i shpenzimeve publike për vitin 2022 është planifikuar 637.6 miliardë lekë ose 34.1% e PBB. Këto do të vijojnë të mbështeten sektorët prioritarë si arsim,bujqësi, shëndetësi, infrastrukturë, etj si dhe do të vijojnë të mbështesin procesin e rindërtimit pas tërmetit 2019. Investimet publike llogariten në nivelin 6.4 % e PBB-së ose 111 miliardë lekë duke përfshirë këtu edhe fondin për rindërtimin prej 20 miliardë lekësh.
Së bashku garantojnë stimul pozitiv për rritjen ekonomike të vendit duke stimuluar njëkohësisht punësim”, deklaroi ministrja.

Sipas saj, deficiti buxhetor për vitin 2022 planifikohet të jetë në nivelin 5.4% të PBB nga rreth 6.8 % i pritshëm për vitin 2021.

Ministrja u shpreh se borxhi publik do ti kthehet trajektores rënëse.

“Borxhi publik bruto do t’i rikthehet një trajektore rënëse duke filluar që nga 2022, në përputhje me rregullin fiskal, ku pritet të bjerë në rreth 78.9 përqind të PBB nga rreth 80 përqind i pritshëm për këtë vit. Balanca primare do të rikthehet në nivel pozitiv (suficit primar) nga viti 2024 e në vijim”, tha ajo.

 

Fraksion.com