AktualitetTë fundit

Helmohen në Krujë, nga uji i pijshëm drejtoresha e spitalit: Nga mëngjesi i së dielës, mbi 320 qytetarë në urgjencë!

Teksa nuk dihet ende shkaku i helmimit, numri i pacientëve të paraqitur në spitalin e Krujës për të kërkuar ndihmë shëndetësore ka shkuar në rreth 320. Kjo u bë me dije nga drejtoresha e spitalit, Yllka Sheta, e cila u shpreh se kjo situatë ka filluar që të dielën në mëngjes.

“Kjo situatë vijon që nga e diela në mëngjes. Me shenja helmimi kanë ardhur rreth 300 qytetarë. Nuk ka patur raste të rënda që t’i dërgonim për mjekim të specializuar në Tiranë, kanë marrë të gjithë shërbimin këtu. Situata është nën kontroll”, thotë ajo.

Pacientët e shtruar në spital shprehen se kanë patur dhimbje të forta barku e koke dhe të gjithë pohojnë se kanë pirë ujë nga ai që i vjen në çezma.

“Kam që mbrëmë në darkë që më kanë filluar shqetësimet, sot jam shtruar. Jam nga Kruja, filloi barku fillimisht dhe më pas koka. Kemi pirë ujë nga çezma”, tha një banor nga Kruja i shtruar me shenja helmimi.

“Dje pasdite kam pasur shqetësime, kemi pirë ujë, sot jam në spital”, tha një paciente e moshuar.

Prej të dielës, 320 qytetarë janë paraqitur në spital në Krujë, me simptoma diarreje, të vjella, dhimbje barku e temperaturë.

Dyshimet e tyre të para lidhen me helmimin nga uji i pijshëm nga rrjeti i ujësjellësit, që në Krujë konsumohet masivisht.

Nga ana e personelit të shëndetit publik janë marrë disa mostra të ujit të rrjetit të cilat janë dërguar për ekzaminim, e ndërkohë është ndërprerë furnizimi në të gjithë qytetin deri në daljen e përgjigjeve zyrtare. Policia ka njoftuar organet e shëndetit publik dhe të Autoritetet Kombëtar të Ushqimit, për të sqaruar situatën.

 

Fraksion.com