AktualitetPolitikëTë fundit

“S’ka mbifuqi nga Statuti”; Basha i thotë Berishës se nuk do ta thërrasë Kuvendin Kombëtar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të shtunën është shprehur se nuk do lejojë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, për të marrë në shqyrtim një vendim të qeverisë amerikane.

Një deklaratë të tillë, Basha e bëri sot në një konferencë për mediat nga selia blu, ku theksoi se detyra e kryetarit të partisë është respektimi i statutit.

Ju duhet të besoni të vërtetën. E vërteta është fare e thjeshtë. Unë kam thënë që detyra e kryetarit të partisë është respektimi i statutit. Neni 3 i statutit është i qartë për orientimin pro-perëndimor të Partisë Demokratike. Unë kam thënë që Kuvend Kombëtar që të marrë në shqyrtim vendimet e qeverisë amerikanë nuk ka për të pasur kurrë. Qëllimi im së paku është të përfundojë mandatin e dhënë nga anëtarësia e Partisë Demokratike në rrëzimin e Ramës. Ajo që duhet t’ju habisë ju, siç më ka habitur mua, është që njeriu që bërtet statuti statuti, shpall dhe i jep vetes kompentenca që nuk i ka dhe s’mund t’i ketë”, tha kryedemokrati.

Ai theksoi se Sali Berisha s’ka ndonjë mbifuqi nga Statuti i partisë për të thirrur asnjë institucion të partisë, pasi vetë partia ka institucionet e saj.

Sali Berisha mund të thërrasë institucione paralele, në përpjekjen e tij për ta bërë partinë e tij bunker në hallet e tij personale, por demokratët kanë halle të tjera. Kuvendin e kam thirrur dhe do e thërras për të vendosur për çështjet statutore, por bunker nuk thërras dot. Cilido qoftë ai, t’i drejtohet institucionit të partisë dhe jo bunkerit”, tha Basha.

Ish-kryeministri Sali Berisha të premten nga “Foltorja” e Beratit, deklaroi se javën e ardhshme do të njoftohet data për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Për Berishën, Statuti i PD-së, e parashikon qartë se kur Kuvendi mund të mblidhet.

Statuti i Partisë Demokratike përcakton se Kuvendi Kombëtar thirret nga Kryesia, Këshilli Kombëtar dhe nga ¼ e delegatëve. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë lidhje me dy procedurat e para dhe delegatëve u njihet e drejta pavarësisht, do apo s’do kryetari dhe Këshilli Kombëtar të mbledhin forumin e tyre. Ndaj dhe ne, ju garantoj që javën që vjen, do të shpallim datën e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar dhe do të mblidhemi të sigurtë në të drejtën tonë statutore. Për t’i dhënë Partisë Demokratike normat më demokratike që ajo meriton. Për t’ju dhënë ju të drejtën e referendumit për të përcaktuar ju me referendum jo vetëm kryetarin, por edhe Kryeministrin, pasi nuk do të jetë kusht ai që është kryetar i partisë do të jetë edhe kryeministër. Do vijë tek ju dhe pastaj do vendoset”, tha ai.

Për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së, Berisha tregoi se deri më tani kanë firmosur mbi 50 për qind e delegatëve.

 

Fraksion.com