AktualitetKosovaTë fundit

Kosova i shpall “non grata” dy zyrtarë rusë

Kosova ka urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve rusë, duke akuzuar Moskën për aktivitete “destabilizuese”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të premten (22 tetor) se dy diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Kosovë janë shpallur persona të padëshiruar (non grata) dhe janë urdhëruar të largohen nga vendi.

Ajo tha se i ka kërkuar zëvendëskryeministres, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz, t‘i shpallë persona të padëshiruar dy zyrtarët rusë për shkak të “aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të vendit”.

“MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohë i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij”, thuhet në një njoftim të presidentes Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se institucionet e vendit janë të vendosura në luftën kundër ndikimit qëllimkeq të Rusisë dhe “satelitëve të saj në rajon”, të cilët, sipas saj, synojnë rrënimin e arritjeve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara, NATO-s, dhe Bashkimit Evropian.

“Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse”, thuhet në njoftim.

Nuk bëhet e ditur se cilat kanë qenë aktivitetet e këtyre dy zyrtarëve që kanë nxitur autoritetet e Kosovës t’i shpallin persona të padëshirueshëm.

“I siguroj qytetarët e vendit se institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të hezitojnë të veprojnë çdoherë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend”, thotë presidentja Osmani.

Hapja e zyrës ndërlidhëse ruse në Kosovë ishte bërë në vitin 2005 nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Hapja e saj ishte bërë tre vjet para se Kosova të shpallte pavarësinë, e cila kundërshtohet nga Serbia dhe Rusia.

Rusia nuk synon të ketë ndikim te kosovarët ose qeveria e tyre për të përvetësuar ndjenja ose politika pro-ruse, por ndikimi saj bëhet në disa forma të tjera, thuhet në një raport të mëhershëm të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

Sipas këtij raporti, operacionet ruse të ndikimit janë kryesisht të kufizuara te serbët e Kosovës, me lejen e Serbisë, kryesisht për të parandaluar zgjerimin e sovranitetit të Prishtinës në zonat me shumicë serbe dhe lufta më e madhe e Rusisë ndaj Kosovës është pengimi i saj për t’u njohur nga organizata ndërkombëtare.

Rusia mbetet aleatja më e besuar e Serbisë dhe të dyja shtetet nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës./rel

 

Fraksion.com