AktualitetBota+Të funditTeknologji

“Talibanët më të pranueshëm në Twitter”; Trump hap rrjetin e tij social

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka njoftuar planet për të lëshuar në përdorim aplikacionin e tij të mediave sociale.

Llogaritë e Trumpit janë të ndaluara nga Twitter dhe Facebook.

Rrjeti i mediave sociale të Trumpit do të quhet TRUTH Social dhe do të fillojë së funksionuari në muajin nëntor për një numër të caktuar njerëzish dhe pastaj vitin e ardhshëm do të fillojë shpërndarja mbarëkombëtare, tha Trump Media&Technology Group (TMTG) më 20 tetor.

TRUTH Social synon të rivalizojë “kompanitë e mëdha teknologjike” të tilla si Twitter dhe Facebook që e kanë ndaluar atë (Trumpin), tha TMTG në një deklaratë.

“Ne jetojmë në një botë ku talibanët kanë një prani të madhe në Twitter, megjithatë Presidenti juaj i preferuar amerikan është heshtur. Kjo është e papranueshme”, tha Trump në njoftimin për shtyp.

Trump, drejtues i TMTG-së, tha se TRUTH Social u themelua me një mision për t’iu dhënë zë të gjithëve.

Llogaritë e ish-presidentit Trump u ndaluan nga Twitter, Facebook dhe disa rrjete tjera pas sulmit në Kongresin amerikan më 6 janar nga mbështetësit e tij, të cilët synuan të ndalonin certifikimin e fitores së Joe Bidenit në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Në arsyetimin e tyre për të ndaluar Trumpin, platformat e mediave sociale përmendën rrezikun e dhunës.

Që nga ndalimi, Trump përmes mënyrave të ndryshme ka synuar për të rifituar praninë e tij në mediat sociale.

Ai kishte 88 milionë ndjekës në Twitter dhe e ka përdorur shumë këtë rrjet social për të komunikuar me ndjekësit e tij.

 

Fraksion.com