Projekt për restaurimin e urës së Kalasë së Lezhës
Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore kanë kryer një inspektim në urën prej druri në Kalanë e Lezhës, e cila aktualisht është në gjendje mjaft të degraduar, veçanërisht sa i takon strukturës.
Sipas specialistëve, inspektimi konsistoi në evidentimin dhe dokumentimin e problematikave të urës, për të vijuar më tej edhe me hartimin e projektit.
“Marrja e masave të menjëhershme është me rëndësi, për të bërë të mundur sigurinë e plotë të turistëve, përgjatë vizitave në Kalanë e Lezhës, e cila është një ndër kalatë më të rëndësishme në vend”, shprehen specialistët e IKTK-së.
Ura e drunjtë mbi varrezat mesjetare është dëmtuar për shkak të amortizimit.
Kalaja e Lezhës konsiderohet më e madhja në Shqipërinë veriperëndimore si dhe simbol i arkitekturës ushtarake të vonë romake, bizantine e osmane. Ajo ndodhet mbi një kodër rreth 305 metra të lartë dhe rreth 80 metra prapa Kishës Françeskane.
Fraksion.com