DW: Deklarimi i kryeministrit Rama mbi “rreziqet” e lirisë së medias në internet
Kryeministri i Shqipërisë në një konferencë u shpreh, se media online mund të shkaktojë dëme në të njëjtën mënyrë si propaganda naziste. Kritikët: Me këtë ai do të justifikojë përpjekjet për të frenuar liritë e mediave.
Media online në Shqipëri është po aq e dëmshme sa propaganda naziste, pedofilia dhe terrorizmi. Të paktën kështu mendon kryeministri shqiptar, Edi Rama.Ai i dha zë mendimeve të tij gjatë konferencës së OSBE-së për Europën Juglindore, “Gazetaria në kohë krizash”.
“Kur përpiqesh të parafytyrosh për shembull, se çfarë do t’i kishte bërë makineria propagandistike naziste botës me këtë liri është tronditëse. Apo edhe pa u përpjekur të imagjinoni fare, përpiquni të vlerësoni se çfarë dëmi po shkaktohet në jetën e përditshme nga burimet e së keqes në këtë botë nga terrorizmi, të gjitha llojet e fondamentalizmave, deri të pedofilia e të gjitha sëmundjet e shoqërisë moderne, që përmes lirisë së përhapjes mund të prekin shumë qenie njerëzore, grupe në nevojë dhe pjesë të dobëta të organizmit të shoqërive tona” – artikuloi Rama.
Gjergj Erebara, gazetar i Rrjetit Ballkanit të Gazetarisë Investigative BIRN Albania, e sheh këtë si justifikim të kryeministrit Rama për të mbrojtur deri në fund paketën anti-shpifje të vitit 2018 (e konsideruar si ‘luftë’ ndaj medias online), e kundërshtuar nga çdo shoqatë mediatike dhe që gjithashtu nuk u mbështet nga asnjë institucion ndërkombëtar brenda dhe jashtë vendit. “Deklarata e Ramës ishte një përpjekje e sforcuar dhe jo shumë bindëse për të përsëritur se ai vetë beson fort se liria është e tepërt dhe se ai ka largpamësinë e duhur se si zgjidhen abuzimet me lirinë e shprehjes por që të gjithë ne të tjerët, e keqkuptojmë atë si aspirant për diktator ndërkohë që ai ka synime të mira, si për shembull, të na mbrojë nga nazizmi apo të mbrojë fëmijët nga pedofilia” – thotë Erebara për Deutsche Welle.
Megjithatë, përpjekjet dhe ligjet për të censuruar median nuk janë problemi i vetëm sipas Erebarës. “Rama ka demonstruar gjatë të gjithë karrierës së tij politike dëshirën për të pasur nën kontroll çdo lloj medieje. Gazetarët që kanë pak kujtesë e dinë dhe janë dëshmitarë se modeli i tij i korruptimit të medias me akses në vendimmarrjen publike është faktori kryesor që ka sjellë degradimin e vazhdueshëm të medias në Shqipëri gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit”.
Duke u ndalur tek Agjencia për Media dhe Informim e krijuar së fundmi në Shqipëri, Erebara thotë se “kjo strukturë është formalizim i asaj që qeveria ka bërë deri tani në mënyrë të paligjshme”.
Sofistikohen paditë ndaj gazetarëve
Dorian Matlija punon prej 17 vitesh si avokat në Shqipëri dhe gjatë 11 viteve të fundit përmes organizatës Res Publica, ai ka përfaqësuar ligjërisht gazetarët në gjykata. Për momentin,bashkë me kolegët e tij po ndjekin 50 procese gjyqësore në interes të gazetarëve. Matlija thotë se objekti i padive është i ndryshëm, por dominojnë rastet kur gazetarët janë paditur për shpifje.
“Janë dy dukuri të reja të shfaqura kohët e fundit: së pari, paditë SLAPP (strategic litigation against public participation), të cilat janë padi që nuk synojnë detyrimisht të fitohen kundër gazetarëve por kanë qëllim t’i konsumojnë atyre kohën dhe burimet e tjera dhe të dekurajojnë gazetarët e tjerë për të bërë shkrime kritike ndaj politikaneve apo bizneseve të fuqishme. Së dyti, fushatat shpifëse, të cilat janë një tërësi shkrimesh nga një ose më shumë media të tjera, që për interesa jomediatike synojnë të dëmtojnë reputacionin e një gazetari dhe besueshmërinë e tij në publik. Çështjet penale ndaj gazetarëve në kohët e sotme janë shumë më të pakta se në të kaluarën. Pra, jemi duke vënë re një sofistikim të luftës, duke përdorur mjete më pak brutale në dukje, por më të dëmshme në nxitjen e vetëcensurës” – argumenton avokati Matlija për DW.
Sipas tij, në përgjithësi gjykatat kanë qenë pozitive ndaj gazetarëve, por nuk kanë munguar edhe ndërhyrjet e politikës në vendimmarrje. “Në raste specifike, gjyqtarët kanë marrë edhe vendime të pafavorshme për shkak të gravitetit politik apo ekonomik të subjekteve të posaçme, si për shembull rasti i padive te Kryeministrit Edi Rama, të cilat në një masë të madhe janë pranuar përmes vendimeve të diskutueshme, sipas pikëpamjes time si profesionist”.
Fraksion.com