AktualitetPolitikëTë fundit

“Shumica ikin”; Zhupa: Rreth 20 mijë studentë me pak në universitete

Deputetja e PD-së Ina Zhupa ka reaguar sot në lidhje me nisjen e vitit të ri akademik duke deklaruar se rreth 20 mijë studentë më pak janë regjistruar në universitete.

Sipas Zhupës, shumica e studentëve zgjedhin të largohen nga mungesa e cilësisë së arsimit dhe jetesës në Shqipëri.

“Në mandatin e dytë të qeverisjes Rama nga viti 2017 deri në 2021, janë regjistruar në arsimin e lartë publik dhe privat 19 516 studentë më pak. 17% student më pak nga keqqeverisja e Ramës dhe braktisja që po i bëjnë të rinjtë vendit”, u shpreh Zhupa.

“Shumica zgjedhin të largohen nga mungesa e cilësisë arsimit dhe jetesës në Shqipëri, por edhe nga mungesa e punësimit në profesionin që ushtrojnë. Ka edhe nga ata që e kanë të pamundur të vazhdojnë arsimin e lartë për arsye ekonomike, tarifa të larta edhe në publik, mungesa e bursave dhe lehtësira domethënëse për ta. Por edhe kur diplomohen në vend, zgjedhin të largohen shumë shpejt, ku Shqipëria për shkak të politikave të gabuara në vlerësimin e profesioneve, kushteve dhe pagave nuk merr dot mbrapsht investimin e bërë në arsim. Vetëm në dy vite 2018 dhe 2019 ne Gjermani kanë njësuar diplomat 2460 mjeke, infermier dhe punonjës të shëndetësisë nga Shqipëria”, u shpreh ajo.

Zhupa shtoi se “viti akademik nis me ultimatume për mosshkollim për studentët që nuk janë vaksinuar”.

“Në vend të një fushate ndërgjegjësimi, sensibilizimi, bisedimi dhe sqarimesh me ekspertët e shëndetësisë dhe studentëve në auditore për vaksinimin, zgjedhin kërcënimet për mosshkollim të rinisë shqiptare”, tha Zhupa e cila ndau angazhimin e saj për të bërë gjithçka për të kërkuar me shumë për të drejtat e studentëve dhe për zhvillimin e arsimit.

 

Fraksion.com