“Pa vaksinë ose test PCR s’ka mësim”: Disa të rinj në Tiranë paralajmërojnë protestë; Në Vlorë dhjetëra prej tyre, s’lejohen në fakultet
Sot nis viti i ri akademik 2021-2022. Pas më shumë se një viti mësimi online, studentët dhe pedagogët do të rikthehen në auditore, duke paraqitur certifikatën e vaksinës ose një vërtetim që kanë kryer të paktën një dozë, ose duke paraqitur një test PCR negativ.
Ndërkohë dhjetëra studentë në universitetin e Vlorës, ‘Isamil Qemali’, nuk janë lejuar që të futen në auditorë, kjo pasi nuk kanë marrë asnjë dozë të vaksinës anti-COVID si dhe nuk kanë një test PCR ku vërtetojnë që nuk janë të infektuar me koronavirus.
Por përpos atyre që do të hyjnë në auditore për të ndjekur leksionet dhe seminarët, të tjerë studentë do të jenë në një marshim protestë para Kampusit Universitar. Ata kundërshtojnë detyrimin për tu vaksinuar si një kusht për tu pranuar brenda ambienteve të universitetit.
Në një prononcim për mediat rektori i UT, Artan Hoxha, tha se mbi 50% e studentëve janë vaksinuar dhe se pikat e vaksinimit në fakultete do të vijojnë që të funksionojnë për të gjithë ata studentë që nuk e kanë të mundur që të vaksinohen. Rektori pohoi se studentët që vijnë për herë të parë ne Universitet janë më të vaksinuarit.
Nga ana tjetër me rastin e nisjes së vitit të ri akademik, ministrja e Arsimit Evis Kushi teksa ka uruar studentët, është shprehur se vaksinimi është i nevojshëm, pasi universitet nuk formojnë vetëm shkencëtarë, por edhe qytetarë të një shoqërie.
Fraksion.com