Maqedoni e Veriut: Partitë nuk presin KSHZ, shpallin rezultatet
Në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut morën pjesë në votime rreth 49.11% e qytetarëve me të drejtë vote. Partitë politike shpallin fitoret ende pa dalë rezultatet e KSHZ.
Mickovski: VMRO-DPMNE ka fituar bindshëm në zgjedhjet lokale
Në mungesë të të dhënave zyrtare nga KSHZ partitë politike kanë dalë me informacione nga shtabet e tyre zgjedhore për fitimin e votave. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski ka thënë se kjo është një ditë historike, sepse partia opozitare maqedonase ka fituar në shumë komuna që në raundin e parë, gjithsej 20.
“Fitojnë që në raundin e parë në Makedonski Brod, Aerodrom, Kisella Vodë, Sopishte, Butel. Ndërsa në raundin e dytë shkojnë në Karposh dhe Qendër, Çuçer Sandevo dhe në Qytetin e Shkupit”, ka deklaruar Mickovski. Kreu i VMRO-DPMNE-së falënderoi qytetarët për mbështetjen e dhënë duke nënvizuar se kjo është fitore e tyre. Sipas tij, kjo nuk është fitorja e madhe, por hapi i parë drejt saj.
Ahmeti: BDI është fituese bindëse e këtyre zgjedhjeve
Edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka falënderuar qytetarët që treguan kulturë demokratike në zgjedhjet lokale të 17 tetorit dhe shpalli fitoren e BDI-së që në raundin e parë në tri komuna dhe epërsi të madhe të kandidatëve të saj në raundin e dytë. Ai po ashtu ka theksuar se BDI ka rritje të votave. “BDI ka fituar në Likovë,Saraj, Plasnicë, ndërsa udhëheq dukshëm në komunën e Tetovës, Çairit, Kërçovës, Strugës, Zhelinës, Tearcës, Bogovinës, Haraçinës, Dollnenit”, ka deklaruar Ahmeti.
LSDM: Fitojmë bindshëm në më shumë se 20 komuna
Fitore të bindshme ka deklaruar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Ljupco Nikollovski, duke theksuar, se ata fitojnë bindshëm në më shumë se 20 komuna që në raundin e parë. Nikollovksi tha, se socialdemokratët udhëheqin në komunat e Koçanit, Karposhit, Qendër, edhe në Pehçevë, Demir Kapi, Demir Hisar, Rosaman, gjithastu edhe në Qytetin e Shkupit. Ai i bëri thirrje kryetarit të VMRO-DPMNE-së të qëndrojë me këmbët në tokë, sepse nuk është e vërtet se udhëheqin ata.
Kasami: Udhëheqim me Tetovën-në raundin e dytë do të fitojnë mbi Arifi
Kryetari i Lëvizjes, Besa Bilal Kasami ka thënë se në Tetovë janë në epërsi dhe udhëheqin bindshëm në këtë komunë. Ai tha se është i bindur se në raundin e dytë do të fitojnë kundër Teuta Arifit. Gjithashtu ai falënderoi të gjithë aktivistët dhe votuesit e Besës dhe potencoi se në raundin e dytë nuk kanë për t’i zhgënjyer.
Sela: Kemi fituar dy komuna në raundin e parë
Kryetari i Partisë Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela në daljen e tij të parë pas mbylljes së votimeve tha se partia e tij fiton dy komunat urbane, atë të Gostivarit dhe të Dibrës. Ndërsa në raundin e dytë garojnë në Çair, Bogovinë, Tearcë dhe Vrapçisht. “Fituam Gostivarin dhe Dibrën, i fituam që raundin e parë, ndërsa në 5 komuna të tjera shkojmë në raund të dytë, do të ketë balotazh. Besoj që ne do t’ia dalim bashkë me qytetarët që numri i komunave që udhëhiqen nga opozita shqiptare të jetë më i madh”, ka deklaruar Sela.