AktualitetPolitikëTë fundit

Deputeti i PD-së, Agalliu: 700 mijë shqiptarë me leje qëndrimi në Europë

Sekretari i grupit parlamentar të PD-së, Arbi Agalliu deklaroi sot se Shqipëria po boshatiset sepse qeveria nuk ka një strategji për t’i mbajtur këtu shqiptarët.

Duke iu referuar shifrave zyrtare të Eurostat, Agalliu shprehet se “janë plot 700.000 shqiptarë të larguar nga Shqipëria”.

“Këtu bëhet fjalë për ata që kanë marrë leje qëndrimi në një nga vendet e BE. Po të shtojmë ata që janë pa leje qëndrimi, ata që janë azilkërkues, ata që kanë emigruar përtej BE, kjo shifër është edhe më e madhe. Shqipëria po boshatiset. Nga një vend shprese është kthyer në vendin që të shuan ëndrrat, ndaj shqiptarët e kryesisht të rinjtë ikin çdo ditë”, tha ai.

Agalliu thekson se qeveria nuk ka një strategji për t’i mbajtur këtu shqiptarët.

“Kjo qeveri nuk ka asnjë strategji për t’i mbajtur këtu shqiptarët. Asnjë strategji për të thithur investime të huaja, të cilat hapin vende pune dhe sjellin zhvillim ekonomik e teknologjik. Kjo qeveri nuk ka asnjë plan masash për të zhvilluar rininë dhe për të nxitur tek ta sipërmarrjen. Asnjë plan lehtësues për bizneset e vogla e të mesme, në mënyrë që të rrisin qarkullueshmërinë e kapitalit. Asnjë mbështetje domethënëse për familjet në nevojë dhe familjet e reja duke i nxitur të ikin prej këtej. Këto e shumë probleme të tjera shtynë këdo të largohet nga Shqipëria”, tha Agalliu.

 

Fraksion.com