Manastirliu – Veliaj: 80 pika vaksinimi në Tiranë, forcojmë zinxhirin e solidaritetit
Në kuadër të aksionit kombëtar të vaksinimit antikovid “derë më derë”, për të nxitur qytetarët për t’u vaksinuar, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kanë zhvilluar një takim me drejtues të njësive administrative të bashkisë më të madhe në vend.
Nisur nga të dhënat e vaksinimit në Tiranë, Manastirliu u ka kërkuar drejtuesve vendorë angazhimin e tyre në mënyrë që të forcohet zinxhiri i solidaritetit dhe të intensifikohet fushata “derë më derë” ndaj qytetarëve.
“E vetmja armë që ne kemi që të ulim transmetueshmërinë e virusit dhe që të këpusim zinxhirin e infeksionit është të rrisim dhe të forcojmë zinxhirin tonë të solidaritetit. Dhe zinxhiri ynë i solidaritetit duhet të bëhet më i fortë se kurrë, tani, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, ndaj unë besoj fort në angazhimin e Bashkisë Tiranë, në prioritetin që kryetari i Bashkisë do t’i japë këtij aksioni, për të vajtur derë më derë, për të komunikuar me çdo qytetar dhe sidomos me të rinjtë”, nënvizoi Manastirliu.
Teksa bëri me dije se në Tiranë janë 80 pika vaksinimi ndaj COVID-19, Manastirliu ka vënë theksin tek puna e strukturave vendore për të rritur mbulesën vaksinale tek të rinjtë përpara fillimit të sezonit të ri akademik.
“Nuk ka nevojë të kesh asnjë prenotim dhe rezervim për t’u vaksinuar. Mjafton karta e identitetit. Një proces fare i lehtë në qendër, në stadium, në qendrat shëndetësore. Janë 80 pika vaksinimi në Tiranë. Janë në qendrat shëndetësore, ambulancat dhe dy pikat kryesore, ku aksesi është shumë i shpejtë. Një kartë identiteti, prezenca fizike, 5 minuta, shpëton jetën. Por kjo kërkon angazhim. Nëse ne sot bëjmë dhe një vaksinë më shumë, jemi më mirë se dje. Nëse nesër bëjmë dhe një vaksinë më shumë, jemi më mirë se sot”, nënvizoi Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se qeveria shqiptare është e gatshme për çdo skenar që mund të propozohet nga ekspertët dhe e angazhuar për të rritur disponibilitetin e vaksinave.
“Deri më sot kemi arritur të kemi në vendin tonë, mbi 2 milion e 262 mijë doza vaksine, ndërkohë që kemi siguruar nëpërmjet kontratave që kemi lidhur dhe po lidhim, që deri vitin tjetër të kemi rreth 5 milion doza vaksine të mbërritura, për të garantuar që jo vetëm popullata target +18 vjeç, por edhe për skenarë të tjerë në raport me rekomandimet që do të japë Komiteti i Ekspertëve për dozat e treta, pra dozën buster apo edhe për uljen e fashës së grupmoshës në momentin që ato do të japin, ne jemi të gatshëm”, u shpreh Manastirliu.
Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, u shpreh se do të bëhet një plan për mobilizimin e njësive vendore në Tiranë dhe çdo fshat të saj për vaksinimin kapilar antikovid.
“Një plan mobilizimi masiv për vaksinimin deri në nivel kapilar, nivel kapilar quaj shkallën e fundit të çdo pallati dhe fshatin më të humbur të Tiranës. Është e rëndësishme sidomos Tirana sepse shumica e popullsisë është këtu, kemi kaluar mbi 1 milion, është e rëndësishme Tirana sepse institucionet janë këtu, universitetet janë këtu”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje administratorëve që të fillojnë komunikimin me çdo banor që të vaksinohet.
Veliaj tha se teksa Tirana vitin tjetër do jetë “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”, duhet që e gjithë popullsia të jetë e vaksinuar, pasi nuk do munden të marrin pjesë në eventet që do zhvillohen.
“Gjithmonë e më shumë aktivitete do kushtëzohen me vaksinën. Vitin që vjen, kur Tirana do jetë “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”, do e kemi taksative nga Brukseli bërjen e vaksinës. Në çdo aktivitet do kërkohet vaksina. Do bëhet e pamundur që të shkosh në aktivitete, sidomos këto që kanë edhe vulë ndërkombëtare, nëse nuk ke bërë vaksinën. Do kemi një kontroll të dyfishtë nga autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare”, nënvizoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë njoftoi se fushata e madhe e vaksinimit në Tiranë do të nisë javën e ardshme. “Duke filluar nga java tjetër unë edhe Ogerta do bëjmë një tur në të gjitha njësitë, do bëjmë takime me komunitetin për të folur për këtë temë”, pohoi Veliaj.
Ministrja Ogerta Manastirliu ka nisur një seri takimesh me drejtuesit vendorë, për mobilizimin e të gjitha strukturave për vaksinimin masiv. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,822,603 doza të vaksinës ndaj COVID-19, 849,571 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës antikovid.
Fraksion.com