AktualitetRajoniTë fundit

Blinken vlerëson perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vlerësoi “mbështetjen e vazhdueshme” të Bashkimit Evropian për, siç tha, perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Blinken po ashtu theksoi nevojën për të çuar përpara bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai i bëri këto komente në një takim me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të enjten në Uashington.

Në një komunikatë të Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se dy zyrtarët biseduan edhe për një varg çështjesh të tjera, përfshirë partneritetin SHBA-BE, situatën në Afganistan, Rusinë dhe Kinën.

Javën e kaluar, Bashkimi Evropian mbajti një samit me përfaqësues të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në BE.

BE-ja miratoi një deklaratë, në të cilën u tha se ajo mbështet perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe “riafirmon përkushtimin e saj për procesin e zgjerimit” të bllokut evropian.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Serbia kanë përparuar më së shumti në rrugën e integrimit evropian.

Këto dy vende kanë hapur disa kapituj të negociatave të anëtarësimit.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten në pritje të nisjes së këtyre negociatave, ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në – që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.

 

Fraksion.com