AktualitetOp-EdTë fundit

Rezultatet e zgjedhjeve në Irak – humbje e besimit te sistemi

Nga Kersten Knipp

 

Pjesëmarrja e ulët në votime dhe fitorja e dukshme e klerikut populist Muqtada al-Sadr në zgjedhjet parlamentare në Irak reflektojnë një mungesë masive të besimit në institucionet politike të vendit.

Ai është burri i ri dhe i vjetër i Irakut. Kleriku popullor shiit Muqtada al-Sadr dhe koalicioni i tij janë shfaqur përsëri si fuqia më e fortë politike në vend, sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve. Dhe, sërish, pjesa e votave për të duket se është rritur. Sidoqoftë, është jashtëzakonisht e vështirë “ta përgëzosh” politikanin për fitoren e tij të dukshme zgjedhore – pa shprehur rezerva të thella.

Nuk është vetëm fakti se forcat shiite rivale, të cilat ndryshe nga al-Sadr janë qartë pro-iraniane, tashmë e akuzojnë politikanin populist për manipulim të zgjedhjeve. Më e lehtë është të relativizosh pretendime të tilla në Irak sesa t’i hetosh ato në mënyrë të pavarur. Por cilado qoftë e vërteta e çështjes, kjo sigurisht që po e prish atmosferën politike dhe mund të ndezë më shumë tensione.

Ajo që është veçanërisht e rëndë (dhe jo më pak shqetësuese) është pjesëmarrja e votuesve, e cila ka rënë në nivelet e saj më të ulëta. Al-Sadr-i cili nuk po kandidon për postin e kryeministrit, por tradicionalisht e sheh veten si “ai që vendos për mbretin”-mund të ketë triumfuar në kutitë e votimit. Por në votim dolën vetëm 41% e elektoratit irakian. Çfarëdo forme që të marrë qeveria e ardhshme irakiane, këto rrethana e dobësojnë shumë legjitimitetin e saj demokratik.

Zhgënjim i thellë

Pjesëmarrja e ulët në votim nuk është befasi; është një shprehje e zhgënjimit të thellë që ndiejnë shumë irakianë.

Fitorja e dukshme e Al-Sadr-it është gjithashtu një reflektim i këtij zhgënjimi. Al-Sadr-i e kishte cilësuar fushatën e tij si votë kundër pushtetit politik. Në fillim, ai madje kishte njoftuar se do të bojkotonte zgjedhjet, duke fajësuar keqmenaxhimin e vazhdueshëm dhe korrupsionin e zakonshëm në Irak. Kjo i bënte jehonë pakënaqësisë që kishte kohë që mbahej nga popullsia irakiane. Në vjeshtën e vitit 2019, kjo pakënaqësi bëri që shumë irakianë, shumica e tyre të rinj, të dilnin në rrugë. Në fund, këto protesta mbarëkombëtare u shtypën me dhunë nga forcat irakiane të sigurisë.

Shtypja brutale e protestave nuk shkatërroi vetëm shpresat, në atë kohë, për t’i dhënë fund korrupsionit dhe efekteve të tij-të tilla si deficite të mëdha në infrastrukturë dhe furnizime, si dhe në mbrojtjen e mjedisit. Ajo gjithashtu i pakësoi shumë shpresat për një Irak të bashkuar të mbështetur nga një shoqëri e fortë civile. Ky ishte një objektiv i mbrojtur nga lëvizja protestuese, e cila donte të shihte një Irak, popullsia e të cilit të mos ndahej më sipas linjave fetare ose etnike. Sidoqoftë, lëvizja protestuese vetë ishte e ndarë në këto zgjedhje.

Një grup bëri thirrje për bojkotim, i cili kontribuoi në pjesëmarrjen e ulët. Një tjetër paraqiti kandidatët e tij dhe arriti të paktën të merrte rezultate të respektueshme, ndërsa forcat proiraniane pësuan humbje të qarta. është e mundur të nxirret përfundimi se shumë irakianë kundërshtojnë që fqinji i tyre i fuqishëm Irani të ketë kaq shumë ndikim. Por kjo nuk do të thotë automatikisht se ata do të donin që Shtetet e Bashkuara të kishin më shumë ndikim. Al-Sadri gjithashtu zyrtarisht i kundërshton të dyja fuqitë.

Ndarje të thella fetare dhe etnike

Megjithatë, fitorja e dukshme e al-Sadr-it duket se konfirmon frikën se Iraku do të vazhdojë të organizohet sipas linjave fetare dhe të vazhdojë të ndahet në grupe të ndara politike – edhe nëse al-Sadr-i mund të zgjedhë ta përshkruajë veten si përfaqësues të të gjithë popullsisë.

Shumë nga mbështetësit e tij e shohin atë si një politikan që mban qëndrim kundër establishmentit irakian dhe ndikimit të huaj- dhe si një autoritet dhe udhëheqës shiit të vendosur. Kjo do të thotë se al-Sadr-i nuk është një figurë me të cilën mund të identifikohen irakianët sunitë ose të krishterë.

Iraku vazhdon të ndodhet në prag të kaoseve etnike dhe fetare, të cilat diktatori Saddam Hussein i përdori me vetëdije dhe pa mëshirë për të ndarë dhe sunduar shtetin. SHBA gjithashtu nuk ishte në gjendje të kapërcejë ndarjet pas pushtimit në vitin 2003. Në fakt, politikat amerikane të drejtuara kundër aparatit shtetëror të dominuar më parë nga sunitët arritën të kundërtën, duke i shtyrë shumë sunitë në rezistencë të hidhur, që mori edhe formën e ekstremizmit dhe terrorit./DW

 

Fraksion.com