AktualitetTë fundit

Plagosja e 2 të rinjve dje te ish-Parku i Autobusëve në Tiranë, në pranga 2 autorë, shpallet në kërkim një tjetër

Një konflikt i çastit duket se është bërë shkak për përplasjen me armë që u regjistrua pasditen e djeshme në zonën e Ish-Parkut të Autobusëve, ku mbetën të plagosur dy persona, Aleksandër Nikolli dhe Xhulio Vela, ndërsa duket se thuajse të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje, janë me precedentë të mëparshëm penal.

Bëhet me dije se janë arrestuar dy prej autorëve të ngjarjes, Farjon Palushi dhe Daniel Manushi, ndërsa është shpallur në kërkim autori i tretë, Islam Xhetani. Prangat i janë vënë edhe të plagosurit Aleksandër Nikollit për moskallëzim krimi.

Farjon Palushi, 27-vjeç aktualisht është me masë sigurie ‘arrest shtëpie’ për prodhim dhe shitje droge, megjithatë kjo nuk e ka ndaluar atë që të shëtisë i lirë në kryeqytet e madje të përfshihet edhe në një tjetër ngjarje kriminale.

Emra të njohur për policinë janë edhe dy autorët e tjerë, ku Daniel Manushi, 27-vjeç rezulton i dënuar më parë për “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe për të njëjtën akuzë është dënuar më parë edhe 28 vjeçari Islam Xhetani.

Po ashtu, edhe i plagosuri Xhulio Vela është me precedent penal në Shqipëri dhe në Itali, për shpërndarje droge.

Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në kryqëzimin e rrugës “Ndre Mjeda” dhe “Frosina Plaku”, ku mes autorëve dhe të plagosurve ka patur fillimisht një konflikt verbal që degjeneroi në përdorimin e armës. Arsyet e konfliktit mes tyre nuk dihen ende. Paraprakisht dyshohet se të gjithë njiheshin me njëri tjetrin dhe se kishin miqësi mes tyre.

Policia sekuestroi edhe pistoletën me të cilën u plagosën dy të rinjtë, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

 

Fraksion.com