AktualitetTë fundit

KPA lë në fuqi vendimin e KPK për gjyqtarin Ibrahim Hoxha

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë sot në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtarin Ibrahim Hoxha.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi me 13 tetor 2021 seancën gjyqësore publike të çështjes që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Ibrahim Hoxha.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës konstatoi mosprezencën e subjektit të rivlerësimit apo të ndonjë përfaqësuesi ligjor të tij, duke bërë të ditur se subjekti i rivlerësimit nuk ka paraqitur ndonjë shkak të arsyeshëm për mungesën e tij. Në këto kushte, pas dakordësisë edhe të Komisionerit Publik, seanca vijoi në mungesë të subjektit të rivlerësimit.

Pasi Komisioneri Publik deklaroi se nuk ka kërkesa të tjera shtesë, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi Komisionerin Publik të paraqesë konkluzionet përfundimtare.

Si konkluzione përfundimtare, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit: Të marrë në shqyrtim shkaqet e ankimit, duke vlerësuar se rrethanat faktike janë të tilla që të çojnë në zbatimin e nenit, dhe të vendosë: prishjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Ibrahim Hoxha, duke urdhëruar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të klasifikojë të papërfunduar procesin e rivlerësimit që i përket, Ibrahim Hoxha.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin e shpalli sot me 14 teto 2021 duke vendosur lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

KPK ka vendosur më 17.11.2020 të deklarojë të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit, gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë Ibrahim Hoxha, pa një vendim përfundimtar, për shkak se subjekti i rivlerësimit ka humbur statusin e magjistratit, vendim i cili u la në fuqi sot nga KPA.

 

Fraksion.com