AKU bllokon 8800 litra ujë dhe ndalon veprimtarinë e një subjekti në Elbasan
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, njofton se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka marrë masa administrative dhe ka ndaluar menjëherë veprimtarinë, për subjektin “Shpati 2010”, në Elbasan, për parregullsi në ambientet e magazinimit të produktit “ujë në shishe plastike”.
Në një njoftim për shtyp MBZHR bën të ditur se, “Drejtoria Rajonale e Autoritet Kombëtar të Ushqimit Elbasan, për parregullsitë e konstatuara në sigurinë ushqimore, ka marrë masën e ndalimit të menjëhershëm të veprimtarisë së subjektit tregtar, “Shpati 2010”, ka bllokuar sasinë prej 8800 litra, të produktit, ujë si dhe ka vendosur masën administrative, gjobë, në përputhje me legjislacionin në fuqi”.
Ky subjekt është i licencuar dhe ushtron aktivitet në njësinë administrative Gjinar, Elbasan, për produktin, “ujë në shishe plastike”, në formatin 0.5, 5 dhe 7 litra.
Në momentin e kontrollit zyrtar, subjekti ka patur parregullsi në ambientet e magazinimit të sasisë 8800 litra ujë në shishe plastike dhe të furnizimit me ujë të ngrohtë e të rrjedhshëm. Subjekti disponon një linjë të plotë mbushjeje, paketimi, ambalazhimi, për formatet, 0.5, 1.5 litra, plastikë dhe 0.75 litra, qelq. AKU ka marrë 6 mostra zyrtare për analizim të treguesve mikro-biologjikë dhe fizio-kimikë të cilat janë dërguar pranë laboratorit, ISUV, Tiranë.
Fraksion.com